spurgeon dev 16 gusht am
August 2023

I jepni ZOTIT lavdinë që i përket emrit të tij.

Psalmi 29:2

Lavdia e Perëndisë vjen si rezultat i natyrës dhe veprave të Tij. Ai është i lavdishëm në karakterin e Tij, sepse në Perëndinë gjendet një tërësi e tillë e gjithçkaje që është e shenjtë, e mirë dhe e bukur, saqë Ai duhet të jetë i lavdishëm. Bëmat që rrjedhin nga karakteri i Tij, janë gjithashtu të lavdishme; mirëpo, megjithëse Ai ka për qëllim që përmes tyre t’u shfaqë krijesave të Tij mirësinë, mëshirën dhe drejtësinë e Tij, Ai është po kaq i interesuar që lavdia e lidhur me këto bëma, t’i takojë Atij dhe vetëm Atij. Jo se ka ndonjë gjë në ne për të cilën mund të lavdërohemi; sepse çfarë na bën ne vallë të ndryshëm nga njëri-tjetri? Dhe çfarë kemi ne që nuk e kemi marrë nga Perëndia i çdo hiri? Atëherë, sa të kujdesshëm që duhet të jemi për të ecur me përulësi përpara Zotit!

Në atë çast që e lëvdojmë veten, meqenëse në gjithësi ka vend vetëm për një lavdi, e shpallim veten si rivalë të Shumë të Lartit. Si mundet vallë kandrra e cila nuk ka veçse një orë që ka ardhur në jetë, të lëvdohet përpara diellit që e ngrohu kukulen e saj derisa u hap? Si mundet vallë ena prej balte të lartësohet mbi poçarin që i dha asaj formë mbi çark? Si mundet vallë rëra e shkretëtirës të luftojë me shakullinën e erës? Ose pikat e oqeanit të ndeshen me stuhinë? I jepni Zotit, të gjithë ju njerëz të drejtë, i jepni Zotit lavdi dhe forcë; i jepni Atij nderin që i përket emrit të Tij!

E megjithatë, është mbase një nga betejat më të vështira të jetës së krishterë të mësuarit e kësaj fjalie—“Jo neve, o ZOT, jo neve, por emrit tënd jepi lavdi” (Psalmi 115:1). Ky është një mësim të cilin Perëndia na e mëson gjatë gjithë kohës, madje na e mëson përmes disiplinës më të dhimbshme. Po të fillojë të lëvdohet i krishteri: “Unë mund të bëj gjithçka”, pa shtuar fjalët: “me anë të Krishtit që më fuqizon”, nuk do të kalojë shumë kohë dhe atij do t’i duhet të psherëtijë: “S’mund të bëj dot asgjë”, dhe do t’i vijë keq për veten ndërsa zvarritet nëpër pluhur. Kur bëjmë ndonjë gjë për Zotin, dhe Ai është i kënaqur t’i pranojë veprat tona, le ta vendosim kurorën tonë në këmbët e Tij dhe të shpallim: “...jo unë, por hiri i Perëndisë me mua” (1 e Korintasve 15:10).


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>