spurgeon dev 16 gusht pm
August 2023

…por edhe ne vetë që kemi frytin e parë të Frymës…

Romakëve 8:23

Këtu shpallet zotërimi i tanishëm. Në këtë çast, ne kemi frytin e parë të Frymës. Kemi pendimin, atë diamant të cilësisë së parë; besimin, atë margaritar të paçmueshëm; shpresën, smeraldin qiellor dhe dashurinë, rubinin e lavdishëm. Tashmë jemi bërë krijesa të reja në Krishtin Jezus, falë veprës së efektshme të Perëndisë Frymë e Shenjtë. Ky quhet fryti i parë, sepse vjen i pari. Porsi demeti që tundej [përpara ZOTIT nga prifti], ishte i pari i të korrave, kështu edhe jeta frymërore, së bashku me të gjitha hiret që e zbukurojnë atë, janë veprat e para të Frymës së Perëndisë në shpirtrat tanë. 

Frytet e para përbënin premtimin e të korrave. Me të këputur dorën e parë të kallinjve të pjekur, izraeliti priste me padurim të hareshëm kohën kur qerrja do të kërciste nën peshën e duajve. Kështu, vëllezër, kur Perëndia na fal ato gjëra që janë të dëlira, të dashura dhe me famë të mirë, ashtu siç është vepra e Frymës së Shenjtë, këto janë për ne shenjat paralajmëruese të lavdisë së ardhshme. Frytet e para i shenjtëroheshin përherë Zotit, dhe natyra jonë e re, me të gjitha fuqitë e saj, është një gjë e shenjtëruar. Jeta e re nuk është e jona që ne t’ia atribuojmë shkëlqimin e saj meritave tona; ajo është shëmbëllimi dhe krijimi i Krishtit dhe është caktuar për lavdinë e Tij.

Mirëpo, frytet e para nuk ishin e korra, po kështu edhe veprat e Frymës në ne tani nuk përbëjnë konsumimin përfundimtar, sepse përsosja ende pritet të vijë. Nuk duhet të mburremi se e kemi arritur, dhe kështu, ta llogarisim demetin e parë si prodhimin e të gjithë vitit: ne duhet të jemi të etur e të uritur për drejtësi dhe ta presim me padurim ditën e shpengimit të plotë. Lexues i dashur, hape gojën sonte, dhe Perëndia do ta mbushë atë! Nxittë pasuria jote e tanishme në zemrën tënde një lakmi të shenjtë për më shumë hir! Psherëti brenda vetes për nivele më të larta shenjtërimi, dhe Zoti yt do të t’i falë, sepse është i aftë të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>