spurgeon dev 16 dhjetor am
December 2023

“Ejani tek unë.”

Mateu 11:28

Britma e besimit të krishterë është fjala e butë: “Ejani.” Ligji hebraik shprehej me vrazhdësi: “Shko, hidhi me kujdes hapat e tu, si edhe bëj kujdes se në çfarë shtegu do të ecësh. Shkeli urdhërimet dhe do të humbasësh; zbatoji ato dhe do të jetosh.” Ligji ishte një hirdhënie frike që i drejtonte njerëzit në rrugën e duhur si me një kamxhik; ndërsa Ungjilli i tërheq ata me litarë dashurie. Jezusi është Bariu i mirë që ecën përpara deleve të Tij, duke i nxitur ato që t’i shkojnë pas, si dhe duke i udhëhequr ato me fjalën e ëmbël: “Ejani.” Ligji të bën të largohesh, ndërsa Ungjilli të tërheq. Ligji paraqet hendekun që ekziston midis Perëndisë dhe njeriut, ndërsa Ungjilli ndërton një urë mbi këtë greminë të tmerrshme dhe e kalon mëkatarin në anën tjetër. 

Që nga çasti i parë i jetës sate frymërore dhe derisa të mirëpritesh në qiell, mesazhi i Krishtit për ty do të jetë ky: “Ejani tek unë.” Jezusi vepron porsi nëna që ia zgjat dorën të birit foshnjë dhe e josh të ecë duke i thënë: “Eja.” Ai do të jetë gjithnjë përpara teje, duke të nxitur që ta ndjekësh si ushtari që ndjek komandantin e tij. Ai do të shkojë gjithmonë përpara teje për të çarë dhe për të shtruar shtegun tënd, madje do të dëgjosh zërin e Tij jetëdhënës që të thërret ta ndjekësh gjatë gjithë jetës; ndërsa në orën solemne të vdekjes, fjalët e ëmbla me të cilat do të të mirëpresë në botën qiellore, do të jenë këto: “Ejani, të bekuar të Atit tim” (Mateu 25:34).

Veç kësaj, kjo nuk është vetëm thirrja që Krishti të drejton ty, por nëse je besimtar, është edhe thirrja jote drejtuar Krishtit—“Eja! Eja!”. Do ta presësh me kaq ëndje kthimin e Tij, sa do të thuash: “Eja, Zoti Jezus; po, eja sa më shpejt.” Do të dëshirosh një përbashkësi më të afërt dhe më të ngushtë me Të. Ndërsa zëri i Tij të drejtohet ty duke të thënë: “Eja”, përgjigjja jote ndaj Tij do të jetë: “Eja, Zot, dhe qëndro me mua. Eja dhe zaptoje fronin e zemrës sime; mbretëro këtu pa pasur asnjë rival, dhe shenjtëromë tërësisht për shërbimin Tënd”.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin