spurgeon dev 16 dhjetor pm
December 2023

Jo, ti as nuk i ke dëgjuar, as nuk i ke ditur, as veshi yt nuk ishte i hapur.

Isaia 48:8

Është e dhimbshme të kujtojmë se, deri në njëfarë shkalle, kjo akuzë mund t’u drejtohet edhe besimtarëve, të cilët shumë shpesh janë disi të pandjeshëm frymërisht. Mund të vajtojmë brenda vetes për faktin se nuk e dëgjojmë zërin e Perëndisë ashtu siç duhet: “Ti as nuk i ke dëgjuar.” Janë pikërisht ato lëvizjet e buta të Frymës së Shenjtë në shpirtin tonë, të cilave nuk ua vëmë veshin: janë pëshpërimat e urdhëresave hyjnore dhe të dashurisë qiellore që po ashtu nuk perceptohen dot nga ne mendjetrashët. Vaj medet, kemi qenë të paditur për shkak të pakujdesisë sonë—“Ti as nuk i ke ditur.” Ka gjëra frymërore të cilat duhet t’i kishim dalluar, prishje të cilat janë lënë të përparojnë pa u vënë re, ndjenja të çmuara të cilat po vyshken ashtu si lulet nga ngrica, pa përkujdesjen tonë, pamje sado të vogla të Zotit, të cilat mund t’i kishim vënë re po të mos u kishim vënë barrikada dritareve të shpirtit tonë.

Mirëpo, ne “nuk i kemi ditur”. Tek mendojmë për këtë, përulemi thellësisht dhe me të vërtetë. Si mund të mos e adhurojmë hirin e Perëndisë teksa kuptojmë nga konteksti se Perëndia e njihte që më parë gjithë marrëzinë dhe padijen tonë, dhe se, pavarësisht nga ajo paranjohje, Atij, prapëseprapë, i ka pëlqyer të na trajtojë me mëshirë! Medito për hirin e mrekullueshëm sovran dhe admiroje atë që na zgjodhi përkundër gjithë këtyre gjërave! Mahnitu me çmimin që u pagua për ne, megjithëse Krishti e dinte se ç’do të ishim!

Ai që u var mbi kryq, na kishte njohur që më parë për njerëzit mosbesues, besëshkelës, zemërftohtë, indiferentë, të pakujdesshëm e të plogësht në lutje që ishim, megjithatë tha: “Unë jam ZOTI, Perëndia yt, i Shenjti i Izraelit, Shpëtimtari yt. Sepse ti je i çmuar në sytë e mi dhe i nderuar, dhe unë të dua, unë jap njerëz për ty dhe popuj në këmbim të jetës sate.” Sa i mrekullueshëm dhe i lavdishëm që është ky shpengim, kur mendojmë se sa të mëkatshëm që jemi! O Frymë e Shenjtë, na jep që këtej e tutje vesh që dëgjojnë dhe zemra që kuptojnë!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin