spurgeon dev 15 am
October 2023

“Po kush do të mund të durojë ditën e ardhjes së tij?”

Malakia 3:2

Ardhja e parë e Krishtit nuk shoqërohej nga lavdia e dukshme apo ndonjë shfaqje force, e megjithatë, në të vërtetë, të paktë ishin ata që mundën ta duronin fuqinë e saj sprovuese. Herodi dhe bashkë me të mbarë Jerusalemi u trazuan nga lajmi i lindjes së Tij të mrekullueshme. Ata që pretendonin se po prisnin ardhjen e Tij, e treguan qartë falsitetin e rrëfimeve të tyre, duke u ngritur kundër Birit të Perëndisë kur Ai erdhi tek ata. Jeta e Tij mbi tokë ishte si një terplote që siste morinë e madhe të shpalljeve të besimit, dhe vetëm pak mundën ta përballonin me sukses procesin. 

Mirëpo, si do të jetë ardhja e Tij e dytë? A ka ndonjë mëkatar që mund t’ia dalë të mendojë rreth saj? “Do ta godasë vendin me shufrën e gojës së tij dhe me frymën e buzëve të tij do ta bëjë të vdesë të pabesin” (Isaia 11:4). Në Gjetsemani, kur Ai u tha ushtarëve: “Unë jam!”, ata u zmbrapsën dhe ranë përdhe. Vallë, çfarë do t’u ndodhë armiqve të Tij kur Ai ta zbulojë Veten më plotësisht si “Unë Jam”-i? 

Vdekja e tij tronditi dheun dhe errësoi qiellin. Atëherë, a nuk do të jetë vallë e mbushur me shkëlqim të tmerrshëm dita kur si Shpëtimtar i gjallë do t’i mbledhë të gjallë e të vdekur përpara Vetes? O, sa mirë do të ishte sikur tmerri i Zotit t’i bindte njerëzit për t’iu larguar mëkateve të tyre dhe për ta puthur Birin, që Ai të mos jetë më i zemëruar me ta! 

Megjithëse është qengj, Ai është po ashtu edhe luani i fisit të Judës, që e shqyen prenë e Tij; dhe megjithëse nuk e këput kallamin e përkulur, Ai do t’i godasë armiqtë e Vet me një shufër hekuri dhe do t’i bëjë ata copë-copë si të ishin një enë poçari. Asnjë prej armiqve të Krishtit nuk do t’i shpëtojë stuhisë së zemërimit të Tij, dhe as do të mund t’i fshihet breshrit dërrmues të indinjatës së Tij.

Mirëpo, populli i shtrenjtë i larë me gjakun e Jezusit e pret ardhjen e Tij me gëzim; me këtë shpresë të gjallë, ata jetojnë pa pikë frike. Për ta, Ai është rafinues që tani, prandaj, pasi t’i ketë vënë në provë, ata do të dalin prej saj si ari. Le ta shqyrtojmë veten këtë mëngjes dhe të sigurohemi për thirrjen dhe zgjedhjen tonë, me qëllim që ardhja e Zotit të mos na ngjallë pritshmëri të frikshme. Oh, sikur të na jepet hir për të flakur tutje çdo grimcë hipokrizie, me qëllim që dita e shfaqjes së Tij të na gjejë të dëlirë dhe të paqortueshëm!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin