spurgeon dev 15 shtator am
September 2023

Ai nuk do t’u trembet lajmeve të këqija.

Psalmi 112:7

I krishterë, nuk ke pse t’i trembesh ardhjes së lajmeve të këqija; sepse, nëse edhe ti shqetësohesh prej tyre, ti nuk dallon nga njerëzit e tjerë. Ata nuk e kanë Perëndinë tënd, tek i cili të gjejnë strehë; nuk e kanë shijuar kurrë besnikërinë e Tij ashtu si ti, prandaj nuk është për t’u habitur që kruspullohen nën peshën e halleve dhe dridhen nga frika. Ndërsa ti shpall se i takon një fryme tjetër, ti ke rilindur në një shpresë të gjallë dhe zemra jote jeton e lidhur ngushtë me gjërat e qiellit dhe jo me gjërat e kësaj bote. Tani, nëse edhe ti hutohesh nga këto gjëra si të tjerët, ç’vlerë ka, pra, hiri që pretendon se ke marrë? Ku qëndron dinjiteti i asaj natyre të re të cilën pretendon se e zotëron? 

Po ashtu, nëse do të mbushesh plot me shqetësime ashtu si të tjerët, pa dyshim që do të biesh në mëkate të cilat janë kaq të zakonshme për të tjerët nën të njëjtat rrethana sprovuese. Jobesimtarët, kur zihen në befasi nga lajme të këqija, ngrenë krye kundër Perëndisë; ata murmurijnë kundër Tij dhe mendojnë se Perëndia po i trajton keq. Vallë, a mos do të biesh edhe ti në të njëjtin mëkat? Vallë, a mos do ta provokosh edhe ti Zotin ashtu si ata? 

Veç kësaj, jobesimtarët shpesh rendin drejt mjeteve të gabuara për t’u shpëtuar vështirësive, dhe dije se edhe ti do të veprosh si ata po qe se mendja jote dorëzohet përpara presionit të tanishëm. Beso në Zotin dhe prit me durim për ndërhyrjen e Tij! Mënyra më e urtë e të vepruarit është që të bësh atë që bëri Moisiu [kur tha në breg të] Detit të Kuq: “Mos kini frikë, qëndroni dhe do të shikoni çlirimin e ZOTIT” (Eksodi 14:13). Kjo sepse, nëse i lë vend frikës kur merr lajme të këqija, nuk do të mund t’u bësh ballë shqetësimeve me atë gjakftohtësi që të përgatit për të shërbyer dhe të forcon kur je në vështirësi.

Si mund ta përlëvdosh vallë Perëndinë në qoftë se bën frikacakun? Shenjtorët i kanë thurur shpesh lavde përmbi lavde Perëndisë në mes të zjarrit të sprovave, por a do ta madhërojnë vallë Shumë të Lartin dyshimet e tua dhe dëshpërimi yt, kur ti sillesh sikur të mos kishe askënd që të të vinte në ndihmë? Prandaj, merr zemër dhe, duke u mbështetur me siguri të plotë në besnikërinë e Perëndisë tënd të besëlidhjes, “zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë” (Gjoni 14:27)!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin