February 2023

Nga pallatet e fildishta veglat muzikore me tela të gëzojnë.

Psalm 45:8

Dhe kush janë ata që kanë privilegjin ta gëzojnë Shpëtimtarin tonë? Kisha e Tij—populli i Tij. Vallë, a është e mundur kjo? Është Ai që na gëzon ne, por si mund ta gëzojmë ne Atë? Me dashurinë tonë. Ne mendojmë se sa e ftohtë dhe sa e dobët është dashuria jonë, dhe, mjerisht, ne duhet ta pranojmë se e tillë është, por megjithatë ajo është shumë e ëmbël për Krishtin. 

Dëgjoje se si e shpreh Salomoni një dashuri të tillë në këngën e tij: “Sa e kënaqshme është dashuria jote, o motra ime, nusja ime! Sa më e mirë se vera është dashuria jote!”. Vështro, o zemër e dashur, kështu kënaqet Ai në ty! Kur prehesh në Të, ti jo vetëm që merr, por edhe i jep gëzim Atij; kur ti vështron me dashuri bukurinë e Tij, ti jo vetëm që përdëllehesh, por edhe i fal kënaqësi. 

Adhurimi ynë është një gjë tjetër që e ngazëllen Atë—por jo vetëm kënga e buzëve tona, por edhe melodia e mirënjohjes së thellë të zemrës. Edhe dhuratat tona i falin Atij shumë kënaqësi. Në fakt, Ai mezi ç’pret të na shohë duke vendosur kohën, dhuntitë dhe pasuritë tona mbi altar, jo për shkak të vlerës së asaj që japim, por për hir të motivit nga i cili buron ajo dhuratë. Ofertat më modeste të shenjtorëve të Tij janë për Të më të pëlqyeshme sesa mijëra monedha ari dhe argjendi.

Shenjtëria është si temjani dhe mirra për Të. Faleni armikun tuaj, dhe kështu e gëzoni Jezusin; ndajini pasuritë tuaja me të vobektët, dhe kështu Ai ngazëllehet; kthehuni në një instrument për shpëtimin e shpirtrave, dhe i jepni Atij të shohë mundimet e shpirtit të Tij; shpalleni Ungjillin e Tij dhe do të jeni një aromë erëmirë për Të; shkoni në mes të të paditurve dhe shpalleni kryqin e Tij, dhe kështu do ta keni nderuar Atë. Ju keni mundësi, edhe në këtë çast, ta thyeni enën e alabastrës dhe ta hidhni vajin e çmuar të gëzimit mbi kokën e Tij, ashtu siç bëri ajo gruaja në Bibël, dëshmia e së cilës ende kujtohet, kudo që predikohet Ungjilli. A nuk do t’i bashkohesh asaj për të shprehur dashurinë dhe përkushtimin tënd për Zotin Jezus? Dhe madje, edhe në pallatet e fildishta do të dëgjohen këngët e shenjtorëve.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin