spurgeon dev 15 qershor am
Qershor 2023

Dhe Sara tha: “Perëndia më ka dhënë çka duhet për të qeshur, kushdo që do ta dëgjojë ka për të qeshur bashkë me mua”.

Zanafilla 21:6

Fakti që e moshuara Sara të nderohej me lindjen e një biri, ishte diçka që ia tejkalonte fuqisë së natyrës, dhe madje binte ndesh me ligjet e saj; dhe po kështu, fakti që një mëkatari të mjerë, të gjorë dhe të mbaruar si unë i është dhënë një hir aq i madh, sa të mbartë në shpirtin e vet Frymën brendabanuese të Zotit Jezus, është diçka që i shkel të gjitha rregullat e zakonshme. Unë që dikur dergjesha në dëshpërim, madje edhe unë jam bërë që të prodhoj fryte shenjtërie, megjithëse natyra ime ishte po aq e tharë, e shkretuar dhe jopjellore sa një shkretëtirë ku dëgjohet prore vajtimi i erës dhe angullimat e bishave. Atëherë, u mbushtë goja ime me të qeshura gazmore, për shkak se Zoti im ka shfaqur ndaj meje një hir mahnitës dhe të jashtëzakonshëm, sepse kam gjetur Jezusin, farën e premtuar dhe Ai është imi përgjithnjë! Sot do t’i këndoj psalme ngadhënjimi Zotit, i cili është kujtuar për mua në gjendjen time më të keqe, sepse “zemra ime ngazëllohet në ZOTIN, forca ime ngrihet te ZOTI; goja ime hapet kundër armiqve të mi, sepse gëzohem nga shpëtimi yt” (1 i Samuelit 2:1).

Dëshira ime është që të gjithë ata që dëgjojnë për shpëtimin tim mbresëlënës nga ferri dhe vizitën më të bekuar që m’u bë nga qielli, të qeshin nga gëzimi bashkë me mua. Dua ta habis familjen me paqen time të pambarim; dua t’i kënaq miqtë e mi me lumturinë time gjithnjë në rritje; dua ta ndërtoj kishën me rrëfimet e mia plot mirënjohje, dhe madje dua t’i lë mbresa botës me frymën gazmore të bisedave të mia.

Bunyan-i na thotë që Mëshira qeshte në gjumë, dhe kjo nuk  është për t’u habitur, për shkak se shihte ëndrra me Jezusin; gëzimi im nuk duhet të jetë më i pakët nga i saji, për sa kohë që Krishti është tema kryesore e mendimeve të mia të përditshme. Zoti Jezus është një det i thellë gëzimi: shpirti im do të zhytet në të dhe do të rrëmbehet nga kënaqësitë që fal shoqëria e Tij. Sara e pa Isakun dhe qeshi me gjithë zemër, por edhe të gjithë miqtë e saj qeshën bashkë me të. Kështu edhe ti, shpirti im, hidhe vështrimin drejt Jezusit dhe përgjëroju qiellit e tokës që të bashkohen në gëzimin tënd të patregueshëm!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin