spurgeon dev 15 qershor pm
Qershor 2023

“...Ai që hap dhe askush nuk mbyll.”

Zbulesa 3:7

Jezusi është rojtari i portave të parajsës, dhe përpara çdo shpirti besimtari, ai vendos një derë të hapur, të cilën nuk ka njeri apo djall që mund ta mbyllë. Sa gëzim është të dish se besimi tek Ai është çelësi i artë që hap dyert e përjetësisë! Shpirti im, a e fsheh këtë kyç thellë në gji, apo mos i beson vallë ndonjë bravandreqësi mashtrues, i cili herët a vonë do të të lërë në baltë?

Kushtoji vëmendje shëmbëlltyrës së predikuesit dhe mbaje mend! Mbreti i madh ka shtruar një gosti, dhe i ka shpallur botës se askush nuk mund të vijë e të marrë pjesë në të pa sjellë me vete lulen më të bukur që ka çelur ndonjëherë. Mijëra shpirtra njerëzish paraqiten te dyert e pallatit mbretëror, dhe secili prej tyre sjell lulen që e çmon si mbretëreshën e kopshtit të vet; por ata dëbohen turma-turma nga prania mbretërore, dhe nuk hyjnë në sallat festive. Disa mbajnë në dorë shprohën e besëtytnisë, disa të tjerë lulëkuqet e kapardisura të fesë së rreme, ose kakutën e vetëdrejtësisë; mirëpo, këto lule nuk i pëlqejnë fare Mbretit të tyre, dhe kështu, ata që i mbajnë ato, mbeten përjetësisht jashtë portave të margaritarta.

Shpirti im, a e ke këputur trëndafilin e Sharonit? A e mban vazhdimisht në gji zambakun e luginave? Nëse është kështu, do ta njohësh vlerën e tij kur të mbërrish te portat e parajsës, sepse mjafton ta tregosh më të zgjedhurën ndër lulet, dhe Derëtari do të ta hapë portën dhe pa asnjë çast vonese, sepse Ai përherë e çel atë përpara këtij trëndafili. Me trëndafilin e Sharonit në dorë, ti do ta gjesh udhën deri te froni i Vetë Perëndisë, sepse në qiell nuk ekziston asgjë tjetër që mund t’ia kalojë bukurisë së tij rrezatuese, dhe mes të gjitha luleve që çelin në parajsë, nuk ka asnjë që mund të krahasohet me zambakun e luginave. Shpirti im, me anë të besimit, merre në duar trëndafilin e kuq si gjaku i Kalvarit, mbaje me anë të dashurisë, ruaje me anë të përbashkësisë, bëje që të jetë gjithçka në të gjitha për ty me anë të vigjilencës së përditshme, dhe do të bekohesh përtej çdo lumturie të mundshme! Kështu do të jesh më i lumtur sesa në një ëndërr. Jezus, ji imi përgjithnjë, Perëndia im, qielli im, gjithçka për mua!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin