Perëndia im, Perëndia im, pse më ke braktisur?
Psalmi 22:1
Këtu e shohim Shpëtimtarin tonë të zhytur në thellësinë e pikëllimit të Tij. Dhimbjet e Krishtit nuk shfaqen kështu në asnjë vend tjetër, dhe asnjë çast tjetër në Kalvar nuk është kaq i mbushur me agoni sesa çasti kur britma e Tij çan ajrin—“Perëndia im, Perëndia im, pse më ke braktisur?”. Në këtë çast, dobësia fizike u ndërthur me torturën e thellë mendore, për shkak të turpit dhe poshtërimit që iu desh të kalonte; brenga e Tij e arriti kulmin tek vuante agoninë frymërore që ia kalon çdo përfytyrimi njerëzor, për shkak të largimit të pranisë së Atit të Tij. E tillë ishte mesnata e zezë sterrë e tmerrit të Tij—tek zbriste në abisin e vuajtjes.
Askush nuk mund ta marrë dot me mend domethënien e vërtetë të këtyre fjalëve. Disa prej nesh mendojnë se ka raste kur edhe ne mund të këlthasim: “Perëndia im, Perëndia im, pse më ke braktisur?”. Ka periudha kur ndriçimin e buzëqeshjes së Atit tonë e zënë retë dhe errësira; por atëherë bëjmë mirë t’i kujtojmë vetes se në të vërtetë Perëndia nuk na braktis kurrë. Kjo jona është një braktisje vetëm në dukje, ndërsa në rastin e Krishtit ishte një braktisje e vërtetë. Ne pikëllohemi edhe sikur të mos e ndiejmë qoftë edhe për një çast të vetëm dashurinë e Atit tonë; por kush mund ta llogarisë dot se sa e thellë ishte agonia që përjetoi Biri për shkak të largimit të vërtetë të pranisë së Perëndisë Atë prej Tij?
Për sa na përket neve, në shumë raste, britma jonë diktohet nga mosbesimi ynë: ndërsa për Të, ajo ishte shpallja e një fakti të tmerrshëm, sepse Perëndia vërtet u largua prej Tij për njëfarë kohe. O ti shpirt i gjorë dhe i munduar, që dikur jetoje nën diellin e fytyrës së Perëndisë, por që tani dergjesh në terr, kujtoji vetes se, në fakt, Ai nuk të ka braktisur! Perëndia i mbuluar nga retë është i njëjti Perëndi që rrëzëllen fort me gjithë bukurinë e hirit të Tij. Mirëpo, duke qenë se edhe vetë mendimi se Ai na ka braktisur na shkakton agoni, sa më e madhe duhet të ketë qenë vuajtja e Shpëtimtarit tonë kur klithi: “Perëndia im, Perëndia im, pse më ke braktisur?”.
© dritez.al 2024