Prill 2023

Ji bariu i tyre e lartësoji deri në amshim.*

Psalmi 28:9

Populli i Perëndisë ka nevojë që të lartësohet, sepse është i rëndë për nga natyra. Njerëzit e Perëndisë nuk kanë krahë, ose edhe nëse do të kishin, do të ishin si pëllumbi i mplakur që qëndron poshtë në oborr. Ata kanë nevojë për hirin hyjnor që t’u japë krahë të mbuluar me argjend dhe pendë të arta që shkëlqejnë. Për vetë natyrën e tyre, shkëndijat ngjiten lart, por shpirtrat mëkatarë të njerëzve bien poshtë e më poshtë. 

O Zot, “lartësoji deri në amshim!”. Vetë Davidi tha: “Te ti, o ZOT, e lartoj shpirtin tim” (Psalmi 25:1), dhe tani ai ndien nevojën që edhe shpirtrat e të tjerëve të lartohen po ashtu si i tiji. Nëse e kërkon këtë bekim për veten, mos harro ta kërkosh edhe për të tjerët! 

Ka tri mënyra sipas së cilave populli i Perëndisë duhet të lartësohet ose të ngrihet lart. Ata duhet të lartohen për nga karakteri. Lartoji, o Zot; mos e lër popullin Tënd të bëhet si njerëzit e botës! Bota dergjet në ligësi; të lutem, ngriji ata prej saj! Njerëzit e botës rendin pas arit dhe argjendit, për të plotësuar dëshirat dhe për të kënaqur epshet e tyre; por, të lutem Zot, lartësoji njerëzit e Tu, larg prej gjithë kësaj; mos i lër ata që të bëhen “llumkërkues”, ashtu siç e quan John Bunyan-i njeriun që e kalon kohën duke kërkuar për ar! Bëj që zemrat e tyre të gjejnë prehje në Zotin e tyre të ringjallur dhe në trashëgiminë e tyre qiellore! 

Veç kësaj, besimtarët duhet të lartohen në betejë. O Zot, nëse sheh se janë duke rënë në betejë, të lutem, ki kënaqësinë t’ua japësh atyre fitoren! Nëse edhe për një çast të vetëm armiku ua vë këmbën mbi zverk, ndihmoji ta kapin përsëri shpatën e Frymës dhe që më pas ta fitojnë betejën! Zot, ngrija moralin fëmijëve të Tu në ditën e konfliktit; mos i lër ata të ulen në pluhur, duke mbajtur zi përherë! Mos lejo që kundërshtari t’ua trazojë paqen dhe t’ua prishë gjakun; por nëse janë përndjekur si Ana, le t’i këndojnë mëshirës së Perëndisë shpëtimtar!

Mund t’i lutemi gjithashtu Zotit tonë që t’i lartojë ata në çastin e fundit! T’i lartosh duke i marrë në shtëpi; duke i ngritur trupat e tyre nga varri dhe duke i ringjallur shpirtrat e tyre në mbretërinë Tënde të përjetshme në lavdi!

*Shënim i redaktorit: Vargu i sotëm është marrë nga versioni i Biblës “Së bashku”, 2020.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin