spurgeon dev 15 nëntor am
November 2023

Meqenëse pjesa e Zotit është populli i tij.

Ligji i Përtërirë 32:9

Në çfarë mënyre janë ata të Tijtë? Me anë të vetë zgjedhjes së Tij sovrane. Ai i zgjodhi dhe e vendosi dashurinë e Tij mbi ta. E bëri këtë pa llogaritur kurrfarë mirësie në ta kur i zgjodhi, ose ndonjë mirësi që Ai e pa që më parë se do të shfaqej në ta.

Ai pati mëshirë për atë që pati mëshirë, dhe caktoi një shoqëri të zgjedhurish për jetën e përjetshme; në këtë mënyrë, si rrjedhojë, ata janë të Vetët për shkak të zgjedhjes së Tij të lirë. 

Ata nuk janë të Tijtë vetëm për shkak të zgjedhjes së Tij, por edhe për shkak të blerjes. I ka blerë dhe e ka paguar çmimin e tyre deri në qindarkën e fundit, kështu që e drejta e Tij mbi ta as që mund të vihet në diskutim.

Pjesa e Zotit është shpenguar plotësisht jo me anë gjërash që prishen, si argjendi ose ari, por me anë të gjakut të çmuar të Zotit Jezu Krisht.

Nuk ka asnjë peng mbi pronat e Tij; asnjë padi nuk mund të ngrihet prej pretenduesve kundërshtarë. Çmimi u pagua publikisht, dhe Kisha është në pronësinë e Zotit për jetë e mot. Pa shihe pak shenjën e gjakut mbi gjithë të zgjedhurit; ajo është e padukshme për syrin njerëzor, por e dukshme për Krishtin, sepse “Zoti i njeh të vetët” (2 e Timoteut 2:19).

Ai nuk harron asnjërin prej atyre që ka shpenguar nga mesi i popujve; i numëron delet për të cilat derdhi gjakun dhe e ka gjithnjë në mendje Kishën për të cilën dha Veten.

Ata janë të Tijtë edhe për shkak se i ka shtënë në zotërim. Çfarë beteje të madhe luftoi brenda nesh përpara se të na fitonte! Sa shumë që zgjati rrethimi për pushtimin e zemrave tona! Sa shpesh na dërgoi lajmëtarë me kushte të favorshme kapitullimi, por ne i gozhduam portat tona dhe ngritëm mure për t’u mbrojtur prej Tij.

Si mund ta harrojmë vallë atë orë të lavdishme kur i çau portat e kështjellës së zemrës sonë, kur e vendosi kryqin e Vet mbi mur, dhe si u ngjit me shkallë majë kullave tona, duke ngritur mbi kalatë tona flamurin e kuq si gjaku të mëshirës së Tij të gjithëfuqishme? Po, vërtet jemi robërit e mundur nga dashuria e Tij e gjithëfuqishme. Duke qenë të zgjedhur, të blerë dhe të nënshtruar, ne e dimë se të drejtat e pronarit tonë hyjnor janë të patjetërsueshme: ne galdojmë se nuk mund t’i përkasim më vetes; dhe ditë për ditë dëshirojmë të bëjmë vullnetin e Tij dhe të shpallim lavdinë e Tij.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin