spurgeon dev 15 nëntor pm
November 2023

Perëndia yt ka vendosur forcën tënde; forco, o Perëndi, sa ke bërë për ne.

Psalmi 68:28

Është e urtë, dhe po ashtu e domosdoshme, t’i përgjërohemi vazhdimisht Perëndisë që ta forcojë veprën e Tij në ne! Për shkak se e lënë pas dore një lutje të tillë, shumë të krishterë kanë përse ta fajësojnë veten për sprovat dhe vuajtjet e shpirtit, të cilat ndodhin për shkak të mosbesimit. Është e vërtetë se Satani përpiqet ta përmbytë kopshtin e bukur të zemrës dhe ta kthejë atë në një vend të shkretuar, por është po kaq e vërtetë që shumë të krishterë i lënë vetë hapur portat e kopshtit, dhe e ftojnë vetë rrënimin e frikshëm me pakujdesinë dhe mungesën e lutjes drejtuar Ndihmuesit të tyre të fortë.

Shpesh ndodh që harrojmë se Autori i besimit tonë duhet të jetë edhe Rojtari i tij. Llamba që digjej në tempull, nuk lihej kurrë të fikej, por duhej të mbushej çdo ditë me vaj të freskët. Po kështu, edhe besimi ynë mund të jetojë vetëm falë vajit të hirit, dhe këtë mund ta marrim vetëm prej Vetë Perëndisë. Do të dështojmë po qe se nuk e sigurojmë rezervën e nevojshme të vajit për llambat tona. Ai që e krijoi botën, edhe e mban atë, sepse përndryshe, kjo e fundit do të binte në një shkatërrim të madh. Ai që na bëri të krishterë, duhet të përkujdeset për ne me Frymën e Tij, ose përndryshe, shkatërrimi ynë do të jetë i shpejtë dhe përfundimtar.

Prandaj, le të shkojmë mbrëmje për mbrëmje te Zoti ynë për hirin dhe forcën që na nevojiten. Kemi një argument të fortë në anën tonë, sepse po i lutemi Atij për forcimin e veprës së Tij të hirit, pra, gjithë “sa ke bërë për ne”. A mos mendon vallë se nuk do të arrijë ta mbrojë dhe sigurojë një gjë të tillë? Mjafton që besimi yt thjesht të kapet pas forcës së Tij, dhe nuk ka fuqi errësire, me djallin e madh të ferrit në krye, që të mund të hedhë një re ose hije mbi gëzimin dhe paqen tënde. Përse vallë të të mpaken forcat kur mund të jesh i fortë? Përse vallë të vuash humbjen kur mund të ngadhënjesh? Merre besimin tënd të lëkundur dhe hiret e tua që po dobësohen, dhe çoji tek Ai, i cili mund t’i rigjallërojë dhe rimbushë ato, dhe lutu me zell: “Forco, o Perëndi, sa ke bërë për ne.”


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin