Çdo njeri që beson është i drejtësuar.
Veprat e Apostujve 13:39
Besimtari në Krishtin është që tani i drejtësuar. Besimi nuk e prodhon këtë fryt të tijin më vonë, por tani. Duke qenë se drejtësimi është rezultat i besimit, ai i jepet shpirtit në çastin që lidhet me Krishtin dhe që e pranon Atë si të gjithën e tij në gjithçka. A nuk janë të drejtësuar tani ata që qëndrojnë përpara fronit të Perëndisë? Ashtu jemi edhe ne, pra, po aq realisht dhe qartësisht të drejtësuar, sa edhe ata që kanë hyrë tashmë në oborret e qiellit. Hajduti mbi kryq u drejtësua në çastin kur i ktheu sytë e besimit drejt Jezusit; dhe Pali, në fund të jetës së tij, pas kaq e kaq vitesh shërbese, nuk ishte më i drejtësuar sesa hajduti që nuk kishte shërbyer aspak.
Sot jemi pranuar në Shumë të Dashurin; sot na janë falur mëkatet; sot kemi dalë të pafajshëm në gjyqin e Perëndisë. Oh, çfarë mendimi që të drithëron shpirtin! Ka disa përfitime të cilat nuk do të jemi në gjendje t’i shijojmë derisa të hyjmë në qiell; por ky është zotërimi ynë i menjëhershëm. Ky nuk është si drithi i tokës [së premtuar], që nuk mund ta hamë dot pa kapërcyer Jordanin; por kjo është pjesë e manas në shkretëtirë, është një pjesë e ushqimit tonë të përditshëm, të cilin Perëndia na e siguron në të gjitha hyrjet dhe daljet tona.
Që tani—madje që tani—jemi falur; madje që tani mëkatet tona na janë fshirë; madje që tani qëndrojmë të pranuar përpara Perëndisë, sikur të mos kishim qenë kurrë fajtorë. “Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezus” (Romakëve 8:1). Madje që tani, nuk ka asnjë mëkat të shkruar në Librin e Perëndisë për asnjë nga njerëzit e Tij. Kush guxon të ngrejë ndonjë akuzë kundër tyre? Nuk ka as pikë, as njollë, as rrudhë, as ndonjë gjë tjetër të ngjashme që mbetet mbi ndonjë besimtar, për sa i përket drejtësimit përpara Gjykatësit të mbarë tokës. Privilegjet, të cilat i gëzojmë tani, le të na bëjnë të vetëdijshëm për detyrat tona të tanishme dhe tani, ndërsa jeta vazhdon, le ta shpenzojmë [çdo ditë] duke u tretur për Zotin tonë të ëmbël Jezus!
© dritez.al 2024