…U bënë të përsosur.
Hebrenjve 12:23
Mbani mend që ekzistojnë dy lloje përsosmërish që i nevojiten të krishterit—përsosmëria e drejtësimit në personin e Jezusit dhe përsosmëria e shenjtërimit e realizuar në të nga Fryma e Shenjtë. Edhe tani, ka ende prishje në zemrat e të rilindurve—përvoja na e mëson shpejt këtë. Brenda nesh ende mbeten epshe dhe përfytyrime të liga. Mirëpo, ngazëllehem, sepse e di që po vjen dita kur Perëndia do ta mbarojë punën që ka nisur dhe do ta paraqesë shpirtin tim jo vetëm të përsosur në Krishtin, por edhe të përsosur përmes Frymës, pa njolla ose të meta, ose të tjera si këto.
A mund të jetë e vërtetë që kjo zemra ime e mjerë mëkatare do të bëhet e shenjtë, madje ashtu si Perëndia është i shenjtë? A ka mundësi që kjo frymë e cila shpesh thërret: “Oh, i mjeri njeri që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes?” (Romakëve 7:24), më në fund ta heqë qafe mëkatin dhe vdekjen—që të mos kem më tinguj të ligj që të më vrasin veshin dhe mendime të pashenjta që të më prishin paqen? Oh, ardhtë sa më shpejt kjo orë e lumtur! Kur ta kapërcej Jordanin, vepra e shenjtërimit do të përfundohet; mirëpo, deri në atë çast, as që do të pretendoj se jam i përsosur. Atëherë, fryma ime do të marrë pagëzimin e saj të fundit në zjarrin e Frymës së Shenjtë.
Mendoj se dëshiroj të ndërroj jetë, që të marr pastrimin e plotë dhe përfundimtar, i cili do të më hapë rrugën për në qiell. Nuk ka engjëll më të pastër nga sa do të jem unë atëherë, sepse do të jem i aftë të them në një kuptim të dyfishtë: “Unë jam i pastër”, përmes gjakut të Jezusit dhe nëpërmjet veprës së Frymës. Ne duhet ta lartojmë fuqinë e Frymës së Shenjtë që na bën të denjë të qëndrojmë përpara Atit tonë në qiell! Megjithatë, nuk duhet të lejojmë që shpresa e përkryerjes sonë atje, të na bëjë që të kënaqemi me mungesën e tanishme të përsosjes. Nëse është kështu, shpresa jonë nuk mund të jetë e vërtetë; sepse një shpresë e mirë na pastron, madje që tani. Hiri duhet të bëjë punën e tij në ne tani, përndryshe nuk do të përsoset në ne atëherë. Le të lutemi që “të mbushemi me Frymën” (Efesianëve 5:18), që të mund të japim edhe më shumë fryte drejtësie!
© dritez.al 2024