spurgeon dev 15 korrik am
July 2023

Zjarri duhet të digjet vazhdimisht mbi altarin dhe nuk duhet të shuhet.

Levitiku 6:13

Mbaje vazhdimisht ndezur altarin e lutjes vetjake! Ky është vetë sekreti i gjithë perëndishmërisë. Altari i shenjtorërores dhe altarët familjarë e marrin zjarrin e tyre prej tij; kështu që mos e lër asnjëherë të mbetet pa lëndë djegëse! Koha e qetë në kthinën e fshehtë është vetë esenca, dëshmia dhe barometri i besimit të gjallë dhe aktiv [të përjetuar]. 

Digje në të dhjamin e flijimeve të tua! Nëse ke mundësi, tërhiqu rregullisht në kthinën tënde [të fshehtë të lutjes]; le të jenë këto kohë sa më të shpeshta dhe sa më të pashqetësuara. Lutja e efektshme sjell shumë dobi. A mos vallë nuk ke asgjë për të cilën të lutesh? Lejona të të sugjerojmë disa kërkesa lutjeje: lutu për kishën, shërbesat e saj, për shpirtin tënd, fëmijët e tu, të afërmit e tu, fqinjët e tu, vendin tënd, si dhe për kauzën e Perëndisë dhe të së vërtetës në mbarë botën.

Bëjmë mirë ta shqyrtojmë veten në lidhje me këtë çështje të rëndësishme. A mos vallë koha jonë e qetë është e vakët? A mos vallë zjarri i përkushtimit po meket në zemrat tona? A mos vallë rrotat e qerres mezi rrotullohen? Nëse është kështu, le të alarmohemi për shkak të kësaj shenje dobësimi. Le të qajmë e vajtojmë duke kërkuar Frymën e hirit dhe të përgjërimeve. Le të caktojmë periudha të veçanta për lutje të jashtëzakonshme. Sepse, nëse ky zjarr do të shuhej poshtë hirit të përshtatjes me këtë botë, atëherë do ta vagëllonte zjarrin mbi altarin e familjes dhe do ta zvogëlonte ndikimin tonë në kishë dhe në botë.

Vargu vlen edhe për altarin e zemrës. Ky është me të vërtetë një altar i artë. Perëndisë ia ka shumë ënda t’i shohë zemrat e njerëzve të Vet të ndizen zjarr për Të. Le t’ia falim Perëndisë zemrat tona, të gjitha të ndezura zjarr me dashuri, dhe le të kërkojmë hirin e Tij, me qëllim që zjarri të mos shuhet kurrë, sepse ai nuk do të qëndrojë ndezur nëse Zoti nuk e mban ashtu. Shumë armiq do të përpiqen ta shuajnë; por në qoftë se dora e padukshme pas murit do të vazhdojë të derdhë vaj të shenjtë mbi të, zjarri do të ndizet gjithnjë e më fort. Le t’i përdorim vargjet e Shkrimit si lëndë djegëse për zjarrin e zemrave tona; ato janë thëngjij të ndezur. Le të mos lëmë predikim pa dëgjuar, por mbi të gjitha, le të qëndrojmë sa më gjatë vetëm për vetëm me Jezusin.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin