Iu shfaq së pari Maria Magdalenës.
Marku 16:9
Jezusi “iu shfaq së pari Maria Magdalenës”, mbase jo vetëm për shkak se ajo e kishte dashur Atë dhe e kishte kërkuar me ngulm, por edhe sepse, siç tregon konteksti, ajo vetë kishte qenë një dëshmi e jashtëzakonshme e fuqisë çliruese të Krishtit. Nga kjo, ne bëjmë mirë të nxjerrim mësimin se, fakti që mëkati ynë ishte i pamasë përpara kthimit në besim, nuk duhet të na bëjë të mendojmë se mund të mos na jepet favori i veçantë për të pasur përbashkësinë më të ngushtë të mundshme [me Zotin tonë]. Ajo ishte një grua që kishte lënë gjithçka për t’i shërbyer me kohë të plotë Shpëtimtarit të saj. Ai ishte objekti parësor dhe kryesor i vëmendjes së saj.
Shumë prej atyre që ishin në anën e Jezusit, nuk e mbajtën kryqin e Krishtit, kurse ajo e bëri një gjë të tillë. Ajo e shpenzoi tërë pasurinë e vet për të përmbushur nevojat e Tij. Nëse dëshirojmë ta njohim më nga afër Krishtin, atëherë le t’i shërbejmë Atij! M’i trego ata që ulen më shpesh poshtë flamurit të dashurisë së Tij dhe që pinë gllënjka të mëdha nga kupa e përbashkësisë, dhe jam i sigurt se këta janë pikërisht ata që japin më tepër, shërbejnë më shumë, dhe të cilët qëndrojnë më afër zemrës së përgjakur të Zotit të tyre të dashur.
Mirëpo, vëreni se si Krishti iu shfaq kësaj gruaje të pikëlluar—me një fjalë të vetme: “Mari!” (Gjoni 20:16). Nevojitej vetëm një fjalë e shqiptuar me zërin e Tij, dhe ajo e njohu menjëherë Atë. Zemra e saj e shprehu besnikërinë me anë të një fjale tjetër, por ajo zemër ishte e tejmbushur dhe nuk thoshte dot asgjë tjetër. Natyrisht, ajo fjalë e vetme ishte më e përshtatshmja për atë rast. Është një fjalë që nënkupton bindje. Ajo tha: “Rabboni!”. Nuk ekziston asnjë gjendje mendore në të cilën një rrëfim i tillë besnikërie të mund të bëhet me gjakftohtësi. Kur shpirti yt ndizet flakë nga zjarri qiellor, atëherë ti do të thuash: “Unë jam me të vërtetë shërbëtori yt, o ZOT … ti i këpute lidhjet e mia” (Psalmi 116:16). Nëse mund të thuash: “Mësues”, nëse e ndien se vullneti i Tij është vullneti yt, atëherë ti qëndron në një vend të lumtur e të shenjtë. Ai duhet të ketë thënë: “Mari”, ose përndryshe, ti nuk do të kishe thënë: “Rabboni!”, “Mësues!”. Vëre, pra, nga e gjithë kjo se si Krishti i nderon ata që e nderojnë, se si dashuria e afron Shumë të Dashurin tonë, se si mjafton vetëm një fjalë e Tij për ta kthyer qarjen tonë në gëzim dhe se si prania e Tij është si shkëlqimi i diellit për zemrën tonë.
© dritez.al 2024