spurgeon dev 15 gusht am
August 2023

Isaku kishte dalë aty nga mbrëmja në fushë për t’u menduar.

Zanafilla 24:63

Shumë e admirueshme është mënyra se si po e kalonte mbrëmjen Isaku. Në qoftë se ata që kalojnë kaq e kaq orë në shoqëri të ngeshme, lexime sipërfaqësore dhe zbavitje të kota, do të dëshironin të mësonin të kishin urtësi, me siguri që do të gjenin shoqëri më të dobishme dhe angazhime më interesante në përsiatje, sesa në kotësitë që tani janë kaq joshëse për ta. Do të kishim më shumë njohuri, do të jetonim më pranë Perëndisë dhe do të rriteshim në hir po qe se do të qëndronim më shpesh vetëm. Përsiatja na ndihmon ta ripërtypim ushqimin mendor të mbledhur diku gjetkë, derisa të nxjerrim prej tij ushqimin e vërtetë. Përsiatja që ka për temë Jezusin, është me të vërtetë e bukur. Isaku e gjeti Rebekën kur ishte i zhytur në mendime të thella vetëm për vetëm; shumë të tjerë i kanë gjetur më të dashurit e tyre në një mënyrë të ngjashme. 

Shumë i admirueshëm është edhe vendi i zgjedhur prej Isakut. Fusha siguron një “sallë studimi” të mbushur me libra të dobishëm për përsiatje. Nga cedri te hisopi, nga shqiponja që fluturon lart te bulkthi cingërues, nga hapësira qiellore blu te një pikë vese, të gjitha këto janë gjëra prej të cilave mund të mësojmë shumë, dhe kur sytë hapen në mënyrë hyjnore, mësimi që marrim prej tyre, e ndriçon mendjen më fort sesa mësimi i marrë nga librat e shkruar. Kthinat tona të lutjes nuk janë aq të shëndetshme, mbresëlënëse, të këndshme ose aq frymëzuese sa fushat. Asgjë nuk duhet ta konsiderojmë të zakonshme ose të papastër, por duhet të perceptojmë se të gjitha krijesat japin dëshmi për Krijuesin e tyre, dhe fusha do të shenjtërohet sa hap e mbyll sytë.

Shumë e admirueshme ishte edhe koha e zgjedhur. Koha e perëndimit të diellit, teksa hidhet një vello mbi ditën, është një kohë e përshtatshme për prehjen e shpirtit, kur shqetësimet e kësaj bote ua lënë vendin gëzimeve të përbashkësisë hyjnore. Lavdia e diellit që perëndon, na bën që të mrekullohemi, ndërsa solemniteti i natës që afrohet, na ngjall mahnitje. Në qoftë se punët e kësaj dite ta lejojnë, do të ishte mirë sikur ti, lexues i dashur, të mund ta ruaje një orë për të ecur fushës në mbrëmje; por në qoftë se nuk e ke këtë mundësi, Zotin e gjen edhe në qytet dhe Ai do të takohet me ty në dhomën tënde apo në rrugën e mbushur plot njerëz. Nxitoftë zemra jote drejt Tij për ta takuar!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>