Do t’ju jap një zemër të re…zemër prej mishi.
Ezekieli 36:26
Një “zemër prej mishi” dallohet për ndjeshmërinë e saj ndaj mëkatit. Dorëzimi përpara një përfytyrimi të fëlliqur ose lejimi i një dëshire të marrë të na qëndrojë në zemër qoftë edhe për një çast të vetëm, mjafton për ta bërë një zemër prej mishi të vajtojë përpara Zotit. Për zemrën prej guri edhe një paudhësi e madhe nuk është asgjë, por e kundërta ndodh në rastin e zemrës prej mishi.
Nëse majtas ose djathtas dredhoj,
Në atë çast qortomë, Zoti im,
Dhe për jetën time lërmë të vajtoj,
Se kam lënduar Tënden dashuri.
Zemra e mishit është e ndjeshme ndaj vullnetit të Perëndisë. Ndryshe nga një zemër prej guri, e cila nuk pranon që të përulet përpara urdhrave të Perëndisë, kur marrim zemrën prej mishi, vullneti dridhet si një gjethe plepi sa herë që fryn era e qiellit dhe përkulet si shelg sa herë që fryn një fllad prej Frymës së Perëndisë. Vullneti i natyrës së vjetër është si një çelik i ftohtë e i fortë, i cili nuk pranon që t’i jepet formë me çekan, por vullneti i ripërtërirë, ashtu si metali i shkrirë, modelohet lehtësisht nga dora e hirit. Në zemrën prej mishi gjendet një butësi e ndjenjave. Zemra prej guri nuk e do Shpengimtarin, por zemra e ripërtërirë vlon nga dashuria për Të.
Zemra prej guri është egoiste dhe me ftohtësi ankohet: “Përse duhet të qaj për mëkatin? Përse vallë duhet ta dua Zotin?”. Përkundrazi, zemra prej mishi thotë: “Zot, ti e di që të dua; ndihmomë të të dua edhe më shumë!”. Të shumta janë privilegjet që gëzon kjo zemër e ripërtërirë. Ja, këtu banon Fryma; ja, këtu jeton Jezusi! Zemra e ripërtërirë është përgatitur për të marrë çdo bekim frymëror, dhe çdo bekim i vjen asaj. Është përgatitur për të prodhuar çdo fryt qiellor për nder dhe lavdi të Perëndisë, ja pse Zoti kënaqet me të. Një zemër e butë është mbrojtja më e mirë kundër mëkatit dhe përgatitja më e mirë për qiellin. Një zemër e ripërtërirë vigjilon mbi vendrojën e vet në pritje të ardhjes së Zotit Jezus. Vallë, a e ke edhe ti këtë zemër prej mishi?
© dritez.al 2024