spurgeon dev 15 dhjetor am
December 2023

Pastaj Orpahu puthi vjehrrën, por Ruthi nuk i ndahej asaj.

Ruthi 1:14

Që të dyja e donin Naomin dhe për këtë arsye u ngritën për t’u kthyer bashkë me të në tokën e Judës. Mirëpo, ora e sprovës erdhi: me altruizëm, Naomi i informoi të dyja për sprovat që i prisnin dhe i nxiti që të ktheheshin te të afërmit e tyre në Moab nëse donin një jetë të rehatshme dhe pa probleme.

Fillimisht që të dyja ato u shprehën se e kishin lidhur fatin e tyre me popullin e Zotit; mirëpo, pasi u mendua mirë e mirë, Orpahu, me shumë dhimbje dhe me një puthje plot respekt, i la shëndetin vjehrrës së saj, popullit dhe Perëndisë të saj, dhe u kthye te të afërmit e vet idhujtarë, ndërsa Ruthi ia kushtoi veten me gjithë zemër Perëndisë të vjehrrës së saj.

Është një gjë t’i duash udhët e Zotit kur gjithçka ecën mirë, dhe një gjë tjetër të mos dalësh prej tyre kur vjen ora e shkurajimeve dhe vështirësive. Puthja e shpalljes së besimit sa për sy e faqe është e lirë dhe e lehtë, por kapja pas Zotit në praktikë, e cila duhet të duket qartë në përkushtimin e shenjtë ndaj së vërtetës dhe shenjtërisë, nuk është një gjë e vogël.

Si janë gjërat me ne? A është zemra jonë e lidhur me Zotin Jezus? A po e ofrojmë trupin tonë si fli të gjallë? A kemi llogaritur çmimin, dhe a jemi solemnisht të gatshëm të pësojmë humbjen e gjithçkaje për hir të Mësuesit tonë? Fitimi i mëpastajmë do të jetë një shpërblim i bollshëm, sepse as vetë thesaret e Egjiptit nuk do të mund të krahasohen me lavdinë që do të zbulohet.

Emri i Orpahut zhduket ngadalë; jeta e saj tretet në zymtinë e vdekjes mes rehatisë së shkëlqyeshme dhe kënaqësive idhujtare. Kurse Ruthi jeton në histori dhe në qiell, sepse hiri e ka vendosur atë në pemën fisnike gjenealogjike prej së cilës lindi Mbreti i mbretërve.

Të bekuara mes grave do të jenë ato që, për hir të Krishtit, heqin dorë nga gjithçka; mirëpo, të harruara, dhe më keq se të harruara, do të jenë ato të cilat, në orën e ngasjes, shkelin mbi ndërgjegjen e tyre dhe kthehen te bota. Le të mos kënaqemi këtë mëngjes me një formë përkushtimi, e cila mund të mos jetë më e mirë se puthja e Orpahut, por punoftë Fryma e Shenjtë në ne, që të lidhemi me gjithë zemër pas Zotit tonë Jezu Krisht!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin