spurgeon dev 15 dhjetor pm
December 2023

Do të të themeloj mbi safirë.

Isaia 54:11

Jo vetëm pjesa e dukshme në kishën e Perëndisë, por edhe ajo e padukshmja është e bukur dhe e vyer. Askush nuk i sheh dot themelet, dhe për sa kohë që ato janë të qëndrueshme, askujt nuk i shkon mendja për vlerën e tyre. Mirëpo, në veprën e Perëndisë, gjithçka ka të njëjtën vlerë—asnjë pjesë e saj nuk e humbet vlerën apo rëndësinë e saj. Themelet e thella të veprës së hirit janë po aq të vyera sa safirët; nuk ka mendje njerëzore që të jetë e aftë ta masë lavdinë e tyre. Ne ndërtojmë mbi besëlidhjen e hirit, e cila është edhe më e fortë sesa çeliku dhe po aq e qëndrueshme sa xhevahiret, dhe mbi të cilat epokat kalojnë pa lënë gjurmë. Themelet prej safiri janë të përjetshme, dhe besëlidhja mbetet e qëndrueshme për gjithë përjetësinë, sikurse I Plotfuqishmi. 

Një themel tjetër është personi i Zotit Jezus, i cili është i dëlirë dhe i panjollë, i amshuar dhe i bukur si safiri, duke kombinuar blunë e thellë të oqeanit dallgëzues të rruzullit dhe kaltërsinë e qiellit përqafues. Ishte një kohë kur Zoti ynë mund të krahasohej me rubinin tek qëndronte i mbuluar nga gjaku i Vet, por tashmë e shohim të rrezatojë me blunë e butë të dashurisë—dashurisë së bollshme, të thellë dhe të amshuar. 

Shpresat tona të përjetshme janë ndërtuar mbi drejtësinë dhe besnikërinë e Perëndisë, të cilat janë po aq të qarta dhe të dëlira sa edhe safiri. Nuk jemi shpëtuar falë një kompromisi, falë mëshirës që mposhti drejtësinë apo falë ligjit që reshti së vepruari. Jo, ne i sfidojmë sytë e shqiponjës që të zbulojnë qoftë edhe një të metë në bazën e sigurisë sonë: themeli ynë është prej safiri dhe do t’i qëndrojë zjarrit.

Vetë Zoti e ka hedhur themelin e shpresave të popullit të Vet. Është një çështje serioze të hetojmë nëse shpresat tona janë ndërtuar mbi një bazë të tillë. Veprat e mira dhe ritet nuk janë themel safiri, por themel druri, sane dhe kashte; dhe as nuk janë hedhur nga Perëndia, por nga mashtrimi i mendjes sonë. Edhe pak dhe themelet do të vihen në sprovë: Mjerë ai, kulla e lartë e të cilit do të rrëzohet me zhurmë, për shkak se është ngritur mbi një themel rëre. Ai që është ndërtuar mbi një themel safiri, mund të përballet me stuhinë apo zjarrin me besim, sepse do t’i qëndrojë sprovës.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin