spurgeon dev 14 am
October 2023

I konsideroj të gjitha se janë dëm për madhështinë e njohjes së Krishtit Jezus, Zotit tim.

Filipianëve 3:8

Njohja frymërore e Krishtit duhet të jetë një njohje personale. Nuk mund ta njoh Jezusin përmes njohjes që ka dikush tjetër për Të. Unë vetë duhet ta njoh Atë; duhet ta njoh Atë për veten time. 

Duhet të jetë një njohje e mençur—nuk duhet ta njoh Atë përmes vegimeve a ëndrrave, por ashtu si Fjala ma zbulon. Duhet t’i njoh natyrat e Tij: njerëzore dhe hyjnore. Duhet t’i njoh ofiqet e Tij (Profet, Prift dhe Mbret)—atributet e Tij—veprat e Tij—turpin e Tij—lavdinë e Tij. Duhet të meditoj rreth Tij derisa të kuptoj “me të gjithë shenjtorët se cila është gjerësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia, dhe ta [njoh] njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri” (Efesianëve 3:18-19). 

E Tija duhet të jetë një njohje plot dashuri; padyshim që, nëse e njoh ndopak, duhet edhe ta dua. Një gram njohurie zemre vlen sa për një ton njohurie mendjeje. Njohja që kemi për Të, do të jetë një njohje e kënaqshme. Kur ta njoh Shpëtimtarin, mendja ime do të arrijë kënaqësinë maksimale—do ta di, pra, se e kam arritur atë që fryma ime e dëshiron plot zjarr. Kjo është buka që e shuan gjithë urinë. 

Njëherësh do të jetë një njohje nxitëse, sepse sa më shumë që ta njoh Të Dashurin tim, aq më thellë do të dëshiroj ta njoh Atë. Sa më lart që të ngjitem, aq më të larta do të jenë majat që më ftojnë t’u ngjitem me zell. Sa më shumë që të marr, aq më shumë do të kërkoj. Ashtu si thesari i koprracit, ari që kam, do të më bëjë të lakmoj më shumë prej tij.

Së fundi, kjo njohje e Jezu Krishtit do të jetë tepër e hareshme; në fakt, kaq ngazëllyese, saqë herë pas here do të më lartojë plotësisht përmbi të gjitha sprovat, dyshimet dhe vuajtjet; dhe tek e shijoj, do të më bëjë diçka më shumë sesa “njeriu i lindur nga një grua … pak ditë dhe është plot shqetësime”, sepse do të më rrethojë me pavdekësinë e Shpëtimtarit që rron përgjithmonë, dhe do të më mbulojë me mantelin e artë të gëzimit të Tij të amshuar. Eja, o shpirti im, ulu te këmbët e Jezusit dhe mëso prej Tij në çdo orë të kësaj dite! 


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin