Mos u konformoni me këtë botë.
Romakëve 12:2
E vetmja mënyrë se si mund të shpëtohet një i krishterë tek përshtatet me këtë botë, është si të kalonte përmes zjarrit. Një shpëtimi të tillë duhet t’i druhesh po aq sa edhe ta dëshirosh. Lexues, a dëshiron ta lësh këtë botë mes errësirës së një shtrati vdekjeje të zhytur në dëshpërim dhe të ngjitesh në qiell ashtu si një marinar që i është mbytur anija, u ngjitet shkëmbinjve të tokës së tij të lindjes? Atëherë lëre botën të të fusë në kallëpin e saj, dhe mos prano të marrësh identitetin e Krishtit apo të mbash turpin e Tij! Mirëpo, a dëshiron që siç e ke qiellin atje lart, ta kesh edhe këtu poshtë? Vallë, a dëshiron ta kuptosh së bashku me të gjithë shenjtorët se cila është lartësia dhe thellësia, dhe ta njohësh dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri? A dëshiron të përjetosh një hyrje të gëzueshme në qiell? Atëherë, mos jeto sikur të ishe një mik i botës!
Nëse do të dëshiroje ta kishe sigurinë e plotë të besimit, dije se nuk mund ta kesh për sa kohë që ha në një çanak me mëkatarët. Nëse dëshiron të jesh i zjarrtë për Perëndinë, duhet të kuptosh se rrebeshi i ftohtë i shoqërisë së paperëndishme do të përpiqet të ta shuajë dashurinë. Zor se mund të bëhesh një i krishterë i mirë, nuk mund të bëhesh kurrë një besimtar i pjekur në Krishtin Jezus për sa kohë që dorëzohesh përpara motove të paperëndishme dhe stileve të jetës së kësaj bote. Nuk i ka hije një trashëgimtari të qiellit që të jetë shok i mirë me trashëgimtarët e ferrit. Duket shumë keq kur një oborrtar ka marrëdhënie të ngushta me armiqtë e mbretit. Madje edhe mospërputhjet më të vogla janë të rrezikshme. Ashtu si gjembat e vegjël shkaktojnë flluska të mëdha, tenjat e vogla shkatërrojnë petkat e shtrenjta, edhe mendjelehtësia dhe pamaturia e kotë do ta privojnë dëshminë tënde nga një mijë gëzime.
O besimtar i pavendosur, nuk e di se sa shumë je duke humbur për shkak të përshtatjes sate me këtë botë! Kjo gjë ia pret tejzat forcës sate dhe të bën të zvarritesh atëherë kur të duhet të rendësh. Atëherë, për hir të ngushëllimit tënd dhe për hir të rritjes sate në hir, në qoftë se je i krishterë, ji një i krishterë, pra, i dallueshëm dhe i ndarë nga kjo botë!
© dritez.al 2024