spurgeon dev 14 shtator am
September 2023

Me të ishin edhe disa barka të tjera të vogla.

Marku 4:36

Jezusi ishte Lordi Kryeadmiral i detit atë natë dhe prania e Tij e ruajti gjithë flotiljen e barkave. Është mirë të lundrojmë me Jezusin, edhe pse mund të jemi në një barkëz të thjeshtë. Kur lundrojmë në shoqërinë e Krishtit, nuk mund të jemi të sigurt që do të mbajë gjithnjë mot i mirë, sepse stuhi të furishme mund të goditin madje edhe barkën që mban Vetë Zotin; prandaj, edhe ne nuk duhet të presim një det më pak të furishëm përreth barkëzës sonë. Në qoftë se shkojmë me Jezusin, duhet të jemi të gatshëm që të përballemi me çfarëdo gjëje që përballet edhe Ai; kështu që, kur dallgët të përplasen mbi Të, ato do të përplasen edhe mbi ne. Në bregun tjetër mund të dalim vetëm duke kaluar përmes stuhisë dhe shkulmave, ashtu siç bëri edhe Ai përpara nesh. Fytyrat u zymtuan dhe të gjitha zemrat u mbërthyen nga tmerri i lundërthyerjes kur stuhia u ngrit mbi Liqenin e errët të Galilesë.

Kur çdo përpjekje për ta nxjerrë barkën jashtë nuk bëri asnjë dobi, Shpëtimtari që po pushonte, u ngrit dhe me një fjalë e shndërroi shtrëngatën shkulmuese në qetësinë e thellë të bunacës. Atëherë të gjitha barkëzat e tjera pushuan së lëkunduri dhe bashkë me to edhe barkëza që mbante Zotin. Jezusi është ylli i detit; dhe megjithëse ka trishtim në det, kur Jezusi gjendet mbi të, ka edhe gëzim.

U bëftë Jezusi spiranca, timoni, fari, barka e shpëtimit dhe limani i zemrave tona! Kisha e Tij është anija flamurtare e Admiralit; le t’i ndjekim manovrat e saj dhe t’i gëzojmë oficerët e saj me praninë tonë. Ai Vetë është forca e madhe tërheqëse; le t’i ndjekim gjithmonë gjurmët e Tij, t’u kushtojmë vëmendje sinjaleve të Tij, të drejtohemi nga harta e Tij, dhe të mos kemi frikë për asnjë çast, për sa kohë që Ai është pranë! Asnjë anije e flotiljes nuk do të pësojë lundërthyerje; Kapiteni i madh do ta drejtojë çdo anije në siguri të plotë drejt limanit të dëshiruar. Përmes besimit do ta ngremë spirancën tonë për një ditë tjetër lundrimi dhe do të lundrojmë me Jezusin përmes detit të mundimeve. Erërat dhe dallgët nuk do të na kursejnë, por ato të gjitha i binden Atij; kështu që, çfarëdo shqotash që mund të na godasin nga jashtë, besimi, prapëseprapë, do të përjetojë një qetësi të bekuar përbrenda. Jezusi qëndron përherë mes grupit të miqve të goditur nga stuhitë: le të ngazëllehemi në Të! Barka e Tij ka mbërritur në liman, dhe po kështu do të mbërrijnë edhe tonat.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin