spurgeon dev 14 shtator pm
September 2023

Para teje pranova mëkatin tim, nuk e fsheha paudhësinë time. Thashë: “Do t’ia rrëfej shkeljet e mia Zotit”, dhe ti e ke falur paudhësinë e mëkatit tim.

Psalmi 32:5

Vajtimi i Davidit për mëkatin ishte i hidhur. Pasojat e tij ishin të dukshme mbi trupin e Davidit: kockat e tij treteshin midis rënkimeve; fuqia e tij i përngjante thatësisë së verës. Ai nuk mund të gjente shërim, derisa i rrëfeu ato një për një përpara fronit të hirit qiellor. Na thotë se për njëfarë kohe mbeti në heshtje dhe se zemra e tij ishte e mbushur me pikëllim dhe buzët e tij rënkonin: porsi një përrua malor që është bllokuar, edhe shpirti i tij ishte fryrë nga përrenjtë e pikëllimit. Shpikte justifikime për gjendjen e vet, përpiqej ta çonte mendjen diku tjetër, por e gjithë kjo nuk solli asnjë rezultat; vuajtja e tij mblidhej si qelbi në plagë, dhe meqenëse nuk donte ta përdorte bisturinë e rrëfimit, fryma e tij vuante prej mundimeve dhe nuk njihte paqe.

Më së fundi, gjërat arritën deri në atë pikë, që atij i duhej të kthehej te Perëndia me pendesë të përulur, ose përndryshe të vdiste në vend; kështu që nxitoi për te froni i mëshirës dhe atje shpalosi “pergamenën e gjatë” të paudhësive të tij përpara Perëndisë gjithëshikues, duke pranuar të gjithë ligësinë e udhëve të tij në të njëjtën mënyrë si te Psalmi 51 dhe te psalmet e tjera të pendimit. Pasi u rrëfye, një vepër kaq e thjeshtë kjo, por edhe kaq e vështirë për krenarët, ai mori sa hap e mbyll sytë shenjën e faljes hyjnore; kockat e thyera u ngazëllyen, dhe ai doli nga kthina e lutjeve për të kënduar këngët e atij të cilit i kanë falur shkeljen.

A e dallon vlerën e këtij rrëfimi të mëkatit që vjen si rrjedhojë e veprës së hirit? Kjo duhet të çmohet mbi gjithçka, sepse, sa herë që bëhen rrëfime të përnjëmendta e të hirshme, mëshira jepet falas—jo për shkak se rrëfimi dhe pendimi meritojnë mëshirë, por për hir të Krishtit. Bekuar qoftë Perëndia! Ka gjithmonë shërim për zemërthyerit; burimi gurgullon pa ndërprerje për të na pastruar nga mëkatet tona. Me të vërtetë, o Zot, Ti je një Perëndi që është “i gatshëm që të falë” (Nehemia 9:17). Prandaj, ne do t’i pranojmë përulësisht paudhësitë tona.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin