February 2023

Ushqimi i tij ishte siguruar rregullisht nga mbreti, një racion në ditë, për të gjitha ditët e jetës së vet.

2 i Mbretërve 25:30

Jehojakini nuk u largua nga pallati mbretëror me nozullime që do t’i mjaftonin për muaj të tërë, por ato iu dhanë në trajtën e një racioni të përditshëm. Në këtë mënyrë, Ai na paraqet shëmbëlltyrën e pozitës së lumtur të të gjithë popullit të Zotit. Një racion ditor është gjithçka që një njeri dëshiron me të vërtetë. 

Nuk na nevojiten nozullimet e së nesërmes; sepse ajo ditë ende nuk ka aguar dhe nevojat e saj janë ende të panjohura. Vuajtja që mund të përjetohet në muajin qershor, nuk ka nevojë të lehtësohet që në shkurt, sepse nuk e ndiejmë ende; dhe në qoftë se kemi një racion të mjaftueshëm për çdo ditë që vjen, nuk do ta dimë kurrë se ç’është nevoja. Ajo që i mjafton ditës, është gjithçka që mund të gëzojmë. Nuk mund të hamë, të pimë ose të veshim më shumë sesa kuota ditore e ushqimit dhe e veshmbathjeve. Sa më shumë që të zotërojmë, aq më shumë do të kemi për të depozituar, dhe do të merakosemi se mos na i vjedhin. Një shkop i vetëm është ndihmë për shtegtarin, por një tufë shkopinjsh kthehet në një peshë të rëndë. Racioni i mjaftueshëm jo vetëm që del sa për një gosti, por edhe tepron sa për të kënaqur me të vërtetë edhe më të paturpshmin grykës.

Kjo është gjithçka që duhet të presim; dëshira për më shumë se kaq do të ishte mosmirënjohje. Nëse Ati nuk na jep më shumë, duhet të jemi të kënaqur me racionin e Tij të përditshëm. Edhe ne jemi porsi Jehojakini; kemi një racion të sigurt, një racion që na jepet nga mbreti, një racion të hirshëm dhe një racion të përhershëm. Sigurisht që këtu ka vend për të shprehur mirënjohjen tonë.

I dashur lexues i krishterë, për sa i përket hirit, ty të nevojitet një racion i përditshëm. Në ty nuk gjendet asnjë depozitë fuqie. Ti duhet të kërkosh ndihmë prej së larti ditë për ditë. Furnizimi me një racion të përditshëm është, me të vërtetë, një siguri shumë e bekuar për ty. Te Fjala, ti do të marrësh fuqi të përtërirë përmes shërbesës, përsiatjes, lutjes dhe duke pritur në Perëndinë. Të gjitha gjërat që të nevojiten, të janë siguruar në Jezusin. Prandaj, shijoje racionin tënd të vazhdueshëm! Mos mbetsh kurrë i uritur, për sa kohë që buka e përditshme e hirit gjendet mbi tryezën e mëshirës!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin