Gjej kënaqësinë tënde në Zotin.
Psalmi 37:4
Mësimi i këtyre fjalëve duhet t’u duket shumë i habitshëm atyre që nuk e njohin perëndishmërinë plot gjallëri, por për besimtarin e vërtetë, ai nuk është gjë tjetër veçse një kujtesë e një të vërtete të mirënjohur. Jeta e besimtarit këtu përshkruhet si një kënaqësi në Perëndinë, dhe neve na risillet në vëmendje fakti madhështor se besimi i vërtetë gufon me gëzim dhe lumturi.
Të paperëndishmit dhe besimtarët sa për sy e faqe nuk e shohin kurrë besimin si një gjë të gëzueshme; për ta, ai është vetëm shërbesë, detyrë ose nevojë, por asnjëherë kënaqësi apo ëndje. Nëse ndodh që të marrin pjesë në ndonjë rit fetar, ata e bëjnë këtë, ose për shkak të asaj që mund të fitojnë, ose për shkak se u druhen pasojave po ta lënë pas dore. Mendimi i kënaqësisë që të fal ushtrimi i besimit, është kaq i huaj për shumicën e njerëzve, saqë për ata, nuk ekziston asnjë dyshe fjalësh që të qëndrojë më larg njëra-tjetrës sesa shenjtëria dhe kënaqësia.
Mirëpo, besimtarët që e njohin Krishtin, janë të vetëdijshëm se kënaqësia dhe besimi janë të bashkuar kaq mrekullisht, saqë dyert e ferrit nuk mund t’ia dalin ta zhbëjnë këtë lidhje. Ata që e duan Perëndinë me gjithë zemër, zbulojnë se rrugët e Tij janë rrugë të kënaqshme, dhe se në tërë shtigjet e Tij mbretëron paqja. Shenjtorët e zbulojnë në Krishtin të tillë gëzim, të tillë kënaqësi pa kufi dhe të tillë bekim, saqë, në vend që t’i shërbejnë Atij se kështu e do detyra, janë gati ta ndjekin edhe nëse e gjithë bota do ta hidhte poshtë Atë. Ne nuk i druhemi Perëndisë për shkak të ndonjë detyrimi; besimi ynë nuk është vargua dhe besa jonë nuk është skllavëri; nuk na tërheq njeri zvarrë drejt shenjtërisë dhe as shtyhemi me zor drejt detyrës. Jo, perëndishmëria jonë është kënaqësia jonë, shpresa jonë është lumturia jonë dhe detyra jonë është kënaqësia jonë.
Kënaqësia dhe besimi i vërtetë janë po aq të lidhur ngushtë sa rrënja dhe lulja, po aq të pandarë sa e vërteta dhe siguria; në fakt, ata janë dy gurë të çmuar që vezullojnë krah për krah në një pjatë të artë.
Vetëm kur shijojm’ dashurin’ Tënde,
Gëzimet tona rriten n’mënyr’ hyjnore,
Si ato atje lart, të pashprehshme,
Dhe parajsa që poshtë fillon prore.
© dritez.al 2024