spurgeon dev 14 qershor pm
Qershor 2023

O Zot, turpi i fytyrës është për ne… sepse kemi mëkatuar kundër teje.

Danieli 9:8

Një ndjesi e thellë dhe një pamje e qartë e mëkatit, e ligësisë së neveritshme të tij dhe ndëshkimit që meriton, duhet të na bëjnë që të biem përmbys përpara fronit. Kemi mëkatuar, madje edhe si të krishterë. Sa keq që ka ndodhur kështu! Edhe pse jemi bekuar, ne, prapëseprapë, jemi treguar mosmirënjohës; edhe pse kemi qenë të privilegjuar më tepër se shumë të tjerë, nuk kemi dhënë frytet që priteshin prej nesh. Kush është ai që, edhe pse mund të ketë qenë i përfshirë në luftën e krishterë prej vitesh, nuk do të skuqej po ta hidhte vështrimin pas në të kaluarën e tij? Për sa u përket ditëve tona përpara se të rilindnim, qofshin ato harruar dhe falur; mirëpo, qysh atëherë, megjithëse nuk kemi mëkatuar si më parë, prapëseprapë kemi mëkatuar kundër dritës dhe kundër dashurisë—dritës që na ka depërtuar në mendje dhe dashurisë në të cilën kemi gëzuar.

Mëkati i një shpirti të falur është mizori! Mëkatet e një mëkatari të pafalur nuk i kushtojnë aq shumë atij në krahasim me mëkatin e njërit prej të zgjedhurve të Perëndisë, i cili ka pasur përbashkësi me Krishtin dhe është mbështetur tek Ai për të gjetur ngushëllim! Pa shiko Davidin! Të shumtë janë ata që do të flasin për mëkatin e tij, por unë të lutem të shohësh pendimin e tij dhe të dëgjosh kockat e tij të thyera, teksa secila prej tyre rrëfen plot dhimbje e rënkime! Vëre lotët e tij tek bien përtokë, dhe psherëtimat e thella me të cilat ai shoqëron tingujt e ëmbël të harpës së tij!

Kemi mëkatuar: atëherë le të kërkojmë frymën e pendimit! Pa hidhe vështrimin sërish drejt Pjetrit! Flasim shumë për mënyrën se si e mohoi ai Krishtin. Mbaj mend që është shkruar: “Ai qau me hidhërim.” A nuk kemi edhe ne vallë ndonjë rast kur e kemi mohuar Zotin, për të cilin duhet të vajtojmë me lot? Këto mëkatet tona, përpara dhe pas kthimit në besim, do të na çonin në vendin e zjarrit të përjetshëm, po të mos kishte ndërhyrë mëshira sovrane e Perëndisë, e cila na nxori nga flakët ku do të përfundonim si urë zjarri.

Shpirti im, i shtyrë nga ndjesia e mëkatshmërisë sate të natyrshme, përulu dhe adhuroje Perëndinë tënd! Admiroje hirin që të shpëton—mëshirën që ta kursen [ndëshkimin]—dashurinë që të fal!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin