Prill 2023

Tërë ata që më shohin më përqeshin, zgjatin buzën dhe tundin kokën.

Psalmi 22:7

Tallja ishte një përbërës i rëndësishëm në vuajtjen e Zotit tonë. Juda u tall me Të në kopshtin [e Gjetsemanit]; kryepriftërinjtë dhe skribët e përqeshën deri në përçmim; Herodi e përbuzi; shërbëtorët dhe ushtarët e bënë objekt talljeje dhe e fyen rëndë; Pilati dhe rojet e tij e vunë në lojë natyrën e Tij mbretërore; madje edhe në kryq mbi Të vërshuan lloj-lloj talljesh të liga dhe përqeshjesh të fëlliqura. 

Tallja është gjithmonë e vështirë për t’u gëlltitur, por kur ndodhemi në një gjendje dhimbjeje të thellë, është kaq e pashpirt dhe mizore, sa na lëndon aty ku nuk mban më. Përfytyrojeni Shpëtimtarin të kryqëzuar, të munduar prej një ankthi që shkon përtej caqeve të përfytyrimit njerëzor! Dhe pastaj përfytyroni turmën laragane që e rrethon, të gjithë duke tundur kokën apo duke nxjerrë gjuhën me përbuzjen më të thellë për viktimën e gjorë që po vuan! Me siguri që duhet të ketë pasur diçka tjetër tek i Kryqëzuari, diçka që ata nuk mund ta dallonin dot, ose përndryshe, një turmë kaq e panumërt dhe e përzier nuk do ta kishte ‘nderuar’ Atë njëzëri me një përbuzje të tillë. A nuk ishte vallë e keqja që po rrëfente, pikërisht në çastin e ngadhënjimit të vet të dukshëm, se në fund të fundit, ajo nuk mund të bënte gjë tjetër veçse të tallej me mirësinë fitimtare që në atë kohë po mbretëronte mbi kryq?

O Jezus, “i përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit” (Isaia 53:3), si munde të vdesësh për njerëz që të trajtuan kaq keq? Ja, pra, ku e kemi dashurinë e mahnitshme, dashurinë hyjnore, po, dashurinë e pakufishme. Ne të përçmuam Ty në kohën para kthimit në besim, madje edhe që nga rilindja e kemi mbajtur lart botën në zemrat tona, e megjithatë, Ti u përgjake për të na shëruar plagët dhe vdiqe për të na dhënë jetë. Oh, sikur ta lartësonim fronin Tënd të lavdishëm mbi çdo zemër njerëzore! Pastaj do të ushtonin këngët e lavdërimit për Ty mbi det e tokë, derisa mbarë njerëzimi të të adhuronte njëzëri, ashtu si edhe dikur të hodhi poshtë njëzëri.

O Mirësi sovrane, krijesat e tua të përçmojnë!
Askush nuk të do se dot nuk të kupton:
Se njerëzit mosmirënjohës duan më shumë kotësitë
Sesa buzëqeshjen Tënde, dhe kjo dhimbjen ma shton.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin