I thoni të drejtit se do t’i dalë mirë.
Isaia 3:10
Të drejtit i del mirë PËRHERË.
Nëse do të ishte shkruar: “I thoni të drejtit se do t’i dalë mirë në kohë bollëku”, do të ishim shumë mirënjohës për një bekim kaq të madh, sepse begatia është një kohë rreziku. Është vërtet një dhuratë hyjnore të jesh i mbrojtur nga kurthet e saj. Nëse do të ishte shkruar: “U thoni atyre se do t’u dalë mirë në kohë përndjekjeje”, do të ishim tepër mirënjohës për një siguri kaq inkurajuese, sepse përndjekja është e vështirë për t’u përballuar. Mirëpo, duke qenë se koha nuk është përcaktuar, kjo do të thotë se premtimi në fjalë vlen për çdo kohë.
Kur Perëndia përdor fjalët “do të”, dijeni se ato duhen kuptuar në kuptimin më të gjerë të mundshëm. Nga fillimi i vitit e deri në fund të tij, që kur bien hijet e para të muzgut e deri kur agon një ditë e re, të drejtit do t’i dalë mirë në çdo rast dhe situatë të mundshme. Atij i del kaq mirë, sa nuk besoj se ka ndonjë njeri tjetër, të cilit i shkojnë më mirë gjërat. Është i ushqyer mirë—ai ushqehet me mishin dhe gjakun e Jezusit; është i veshur mirë—ai vesh drejtësinë e Krishtit që i është llogaritur atij; ka një banesë të mirë—ai banon në Perëndinë; martesa e tij nuk ka të sharë—shpirti i tij është i lidhur në martesë me Krishtin; është i mirëfurnizuar—sepse Zoti është Bariu i tij; së fundi, i ka rënë një trashëgimi e mirë—sepse parajsa është trashëgimia e Tij. Të drejtit i del mirë—i del mirë për shkak të autoritetit hyjnor; kjo siguri ngushëlluese del nga goja e Perëndisë.
Shumë i dashur, nëse Perëndia shpall se gjithçka shkon mirë, edhe sikur të dalin dhjetë mijë dreqër e të thonë se gjithçka shkon keq, me përçmim tallës, nuk do t’ua vëmë veshin fjalëve të tyre. Bekuar qoftë Perëndia që na ka dhënë një besim të tillë, i cili na aftëson t’i zëmë besë Atij edhe kur krijesat e kundërshtojnë Atë! Siç thotë vetë Fjala, do të të dalë mirë, o i drejtë, në çdo kohë; kështu, pra, shumë i dashur, nëse nuk mund ta shohësh dot një gjë të tillë, lëre Fjalën e Perëndisë të të japë siguri! Po, besoje këtë në bazë të autoritetit hyjnor me një besim më të madh se ai për të cilin të flasin sytë dhe ndjenjat! Ata që Perëndia i bekon, janë vërtet të bekuar dhe fjalët që shpall goja e Tij, janë e vërteta më e sigurt dhe më e palëkundshme.
© dritez.al 2024