spurgeon dev 14 nëntor am
November 2023

“Do të shfaros nga ky vend… ata që bien përmbys duke iu betuar Zotit, por duke iu betuar edhe Malkamit.”

Sofonia 1:4-5

Këta persona mendonin se ishin të sigurt, sepse e kishin mirë me të dyja anët: ata shkonin me ndjekësit e Jahveh-ut, dhe në të njëjtën kohë binin përmbys përpara Malkamit. Mirëpo, dyfytyrësia është e neveritshme për Perëndinë, dhe shpirti i Tij e urren hipokrizinë.

Idhujtari, i cili jepet haptazi pas perëndisë së tij të rremë, kryen sidoqoftë një mëkat më pak, sesa ai që çon një flijim të ndotur e të urryer te tempulli i Zotit, ndërkohë që zemra e tij është e dhënë pas botës dhe mëkateve të saj.

Të qëndruarit me një këmbë në botë dhe me tjetrën në qiell, është një sjellje prej burracaku. Në çështjet e zakonshme të jetës së përditshme, njeriu me dy mendje përbuzet, por kur vjen puna për çështjet e besimit, një njeri i tillë është qenia më e urryer që ka ekzistuar ndonjëherë.

Ndëshkimi i shpallur në vargun e mësipërm të kall datën, mirëpo, është një ndëshkim i merituar. Në fund të fundit, si mund ta kursejë drejtësia hyjnore mëkatarin, i cili, megjithëse e di të vërtetën, e miraton dhe shpall botërisht se e ndjek atë, nga ana tjetër e do të ligën dhe e lë atë të sundojë në zemrën e tij? 

Shpirti im, shqyrtoje veten këtë mëngjes dhe shiko se mos edhe ti vetë duhesh fajësuar për dyfytyrësi! U thua të gjithëve se je nxënës i Jezusit—por a e do me të vërtetë Atë? A është zemra jote në rregull me Perëndinë? A i përket vallë familjes së Atë Ndershmit të moçëm, apo mos je një i afërm i z. Batakçi?

Emri i mirë nuk ka asnjë vlerë në qoftë se në të vërtetë jam i vdekur në shkelje e mëkate. Të qëndruarit me një këmbë në tokën e së vërtetës dhe me tjetrën mbi detin e rrenës, nuk sjell veçse një rënie të tmerrshme dhe një shkatërrim të plotë. Krishti, ose është gjithçka për ne, ose asgjë!

Perëndia e mbush gjithësinë, dhe rrjedhimisht, nuk ka vend për ndonjë zot tjetër. Pra, në qoftë se Ai mbretëron në zemrën time, nuk do të mbetet më vend për ndonjë sundimtar tjetër.

A prehem vetëm në Jezusin e kryqëzuar dhe a jetoj vetëm për Të? A është kjo dëshira që kam? A është zemra ime e vendosur për ta bërë këtë?

Në qoftë se është kështu, atëherë bekuar qoftë hiri i fuqishëm që më ka çuar në shpëtim; por në qoftë se nuk është kështu, o Zot, atëherë fale shkeljen time të mjerë dhe bashkoje zemrën time me frikën e emrit Tënd!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin