spurgeon dev 14 nëntor pm
November 2023

Labani u përgjigj: “Nuk është zakon të veprohet kështu në vendin tonë, nuk mund të japësh më të voglën para më të madhes.”

Zanafilla 29:26

Nuk e shfajësojmë Labanin për pandershmërinë e tij, por nuk bëjmë keq nëse mësojmë nga zakoni që ai përmendi për t’u justifikuar. Janë disa gjëra që duhen marrë sipas radhës, dhe në qoftë se dëshirojmë të fitojmë të dytën, duhet të sigurojmë fillimisht të parën. Gjëja e dytë mund të jetë më e bukura për sytë tanë, por doket e vendit qiellor duhen zbatuar, çka do të thotë që më e madhja duhet martuar e para. Për shembull, shumë burra dëshirojnë Rakelën e bukur dhe të mbarë të gëzimit dhe paqes së besimit, por, së pari, duhet të martohen me Lean syperënduar të pendimit. Gjithkush bie në dashuri me lumturinë, dhe të shumtë janë ata që janë gati për të shërbyer me hare, qoftë edhe për katërmbëdhjetë vjet për ta gëzuar atë; por sipas rregullës së mbretërisë së Zotit, Lea e shenjtërisë së vërtetë duhet të bëhet e dashura e shpirtit tonë përpara se të mund të arrijmë te Rakela e lumturisë së vërtetë. Qielli nuk është i pari, por i dyti, dhe vetëm duke ngulmuar deri në fund, mund të fitojmë një copë në të. Duhet mbajtur kryqi mbi supe përpara se të mund të vëmë mbi krye kurorën. Duhet ta ndjekim Zotin tonë në poshtërimin e Tij, ose përndryshe, kurrë nuk do të prehemi me Të në lavdi.

Shpirti im, si thua—a je vallë aq mendjelehtë, sa të shpresosh të përjashtohesh nga kjo rregull hyjnore? A shpreson vallë të shpërblehesh pa punuar apo të nderohesh pa u munduar? Largoju pritjes përtace, dhe ji i kënaqur qoftë edhe me gjërat më të përbuzura, për hir të dashurisë së shtrenjtë të Jezusit, e cila do të të shpërblejë bujarisht. Me një frymë të tillë, duke u munduar e duke vuajtur, do të zbulosh se pikëllimet ëmbëlsohen dhe gjërat e vështira bëhen më të lehta. Ashtu siç i ndodhi Jakobit, vitet e tua të shërbimit do të të duken si dy-tri ditë për hir të dashurisë që ke për Jezusin; dhe kur të vijë ora e dashur e gostisë së dasmës, të gjitha mundimet do të të duken sikur nuk kanë ndodhur ndonjëherë—sepse një orë me Jezusin do të kompensojë vite të tëra dhimbjeje dhe vuajtjeje. 

Për Ty, o Jezus plot hir,
Kryqin Tënd me g’zim do ta mbart:
Se kështu thonë t’qiellit rregulla të zbatoj,
Me t’parën martohem, që të dytën t’fitoj.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin