spurgeon dev 14 maj pm
Maj 2023

Do t’i mbledhë qengjat me krahun e tij dhe do t’i mbajë në gjirin e tij.

Isaia 40:11

Kush është Ai për të cilin fliten fjalë kaq të bukura? Ai është Bariu i Mirë. Përse i mban qengjat në gjirin e Tij? Sepse ka një zemër të butë, e cila shkrihet menjëherë përpara dobësive. Psherëtimat, padija dhe pafuqia e të vegjëlve të tufës së Vet, i ngjallin Atij dhembshuri. Është ofiqi i Tij, si Kryeprift besnik, që t’u kushtojë vëmendje më të dobëtve. Përveç kësaj, Ai i bleu ata me gjak; ata janë prona e Vet: Ai duhet dhe do të kujdeset për ata që i kushtuan kaq shtrenjtë. Po ashtu, Ai mban përgjegjësi për çdo qengj, duke qenë i detyruar nga dashuria e besëlidhjes, që të mos humbasë asnjë prej tyre. Veç kësaj, të gjithë ata janë pjesë e lavdisë dhe shpërblimit të Tij. 

Mirëpo, si mund ta kuptojmë shprehjen: “Do t’i mbajë [ata]”? Disa herë, Ai i mban ata duke mos i lënë të vuajnë sprova të mëdha. Provania i trajton ata butësisht. Shpesh, ata mbahen duke u mbushur me një masë të pazakontë dashurie, me qëllim që të rezistojnë dhe të qëndrojnë të palëkundur. Megjithëse mund të mos kenë njohuri të thellë, ajo dije që kanë, është shumë e ëmbël. Dendurazi, Ai i mban duke u falur një besim shumë të thjeshtë, i cili i merr premtimet për ato që janë, dhe me besim të plotë rend drejt e te Jezusi, për ta sjellë çdo shqetësim tek Ai. Falë thjeshtësisë së besimit të tyre, ata fitojnë një nivel të jashtëzakonshëm besimi, i cili i bën ata të ngadhënjejnë mbi botën.

Ai i mban qengjat “në gjirin e tij”. Këtu shohim dashuri pa masë. A do t’i mbante në gji qengjat po qe se nuk do t’i donte shumë? Këtu dallojmë afërsi të përzemërt: ata janë kaq pranë njëri-tjetrit, sa më s’bëhet. Këtu vërejmë një marrëdhënie të shenjtë: ka shkëmbime të çmuara dashurie mes Krishtit dhe të dobëtve të Tij. Këtu ka siguri të përsosur: kush mund t’u bëjë keq atyre kur janë në gjirin e Tij? Do t’u duhet t’i bëjnë keq Bariut përpara [se të prekin tufën e Tij]. Mirëpo, këtu ka edhe prehje të përsosur dhe ngushëllim më të ëmbël. Me siguri që nuk jemi aq të vetëdijshëm sa duhet për zemërbutësinë e pafund të Jezusit!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin