spurgeon dev 14 korrik pm
July 2023

Kur po zbardhte dita … Maria Magdalena … erdhën për të parë varrin. 

Mateu 28:1

Le të mësojmë nga Maria Magdalena se si të arijmë të kemi përbashkësi me Zotin Jezus. Vër re veprimet e saj! Ajo e kërkoi Shpëtimtarin në të zbardhur të ditës. Nëse mënon për ta kërkuar Krishtin, duke menduar se mund të kesh përbashkësi me Të në një të ardhme të afërt, nuk ke për të pasur kurrë përbashkësi me Të; sepse zemra e gatitur për përbashkësi, është një zemër e etur dhe e uritur.

Ajo e kërkoi Zotin e saj edhe me një guxim të paparë. Dishepujt e tjerë ia mbathën me të katra nga varri, sepse ishin të frikësuar dhe të mahnitur, por na thuhet se Maria “qëndroi” (Gjoni 20:11) te varri. Nëse do ta kesh Krishtin, kërkoje Atë me guxim! Mos lër asgjë që të të pengojë në rrugën tënde! Sfidoje botën! Qëndro me guxim aty ku të tjerët ia mbathin me të katra! Ajo e kërkoi Krishtin besnikërisht—ajo qëndroi te varri. Ca e ca e kanë të vështirë t’i qëndrojnë besnikë Shpëtimtarit të gjallë, por ajo i qëndroi Atij pranë kur Ai gjendej i vdekur në varr. Le ta kërkojmë edhe ne Krishtin kështu, duke u kapur fort edhe pas gjësë më të vogël që ka të bëjë me Të, dhe, duke i qëndruar besnikë, edhe nëse gjithë të tjerët e braktisin.

Vër re gjithashtu se ajo e kërkoi Jezusin me gjithë zemër—ajo qëndroi atje “duke qarë”. Lotët qenë si “yshtje” që e magjepsën Shpëtimtarin e saj dhe që e shtynë Atë t’i shfaqej. Nëse e dëshiron praninë e Jezusit, kërkoje atë me të qara e përgjërime! Nëse s’mund të jesh i/e lumtur derisa Ai të vijë e të të thotë: “Ti je i/e dashuri/a im/e”, dije se shumë shpejt ke për ta dëgjuar zërin e Tij.

Së fundi, ajo kërkoi vetëm Shpëtimtarin. E ku donte t’ia dinte ajo për engjëj! Ajo ua ktheu kurrizin atyre, sepse nuk kërkonte tjetërkënd veç Zotit të saj. Në qoftë se Krishti është dashuria jote e vetme, në qoftë se zemra jote i ka shporrur të gjithë rivalët [e Tij], nuk do të të mungojë për shumë kohë ngushëllimi i pranisë së Tij. Maria Magdalena e kërkoi në këtë mënyrë, sepse donte shumë. Le të zgjojmë në zemrat tona të njëjtën dashuri të zjarrtë! Qoftë edhe zemra jonë, porsi e Marisë, plot me Krishtin, dhe dashuria jonë [për Zotin tonë] e ngjashme me të sajën, duke mos gjetur kënaqësi në askënd tjetër veç Tij! O Zot, na u zbulo sonte!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin