January 2023

“I fuqishëm për të shpëtuar.” 

Isaia 63:1 

Me fjalët “për të shpëtuar” kuptojmë të gjithë veprën madhështore të shpëtimit, nga dëshira e parë e shenjtë e deri te shenjtërimi i plotë. Megjithëse janë tri fjalë, ato janë të mbarsura me domethënie [multum in parvo]: faktikisht, këtu kemi gjithë mëshirën të përmbledhur në një fjalë. Krishti nuk është vetëm “i fuqishëm për të shpëtuar” ata që pendohen, por Ai është i aftë t’i bëjë njerëzit të pendohen. Ai do t’i çojë në qiell ata që besojnë, por veç kësaj, Ai është i fuqishëm që t’iu japë njerëzve zemra të reja dhe të ngjallë besimin brenda tyre. Ai është i fuqishëm që ta bëjë njeriun që e urren shenjtërinë, ta dojë atë, dhe ta detyrojë personin që e urren emrin e Tij, të gjunjëzohet para Tij. Mirëpo, ky nuk është i gjithë kuptimi, sepse fuqia hyjnore duket po aq qartë edhe pas kësaj pune. Në fakt, jeta e besimtarit është një varg mrekullish të kryera nga Perëndia i Fuqishëm. Ferrishtja digjet, por nuk konsumohet. Ai është i fuqishëm që ta ruajë shenjtërinë e njerëzve të Tij, pasi i ka shenjtëruar ata, si edhe t’i ruajë ata në frikën dhe dashurinë e Tij, derisa ta përsosë ekzistencën e tyre frymërore në qiell. 

Fuqia e Krishtit nuk është se kufizohet vetëm me kthimin e dikujt në besim, duke e lënë atë që t’ia dalë me forcat e tij pastaj; por Ai që e fillon punën e mirë edhe do ta përfundojë. Ai që e mbjell farën e parë të jetës në shpirtin e vdekur, e mban gjallë ekzistencën hyjnore dhe e fuqizon atë, derisa të shpërthejë çdo zgjedhë mëkati, dhe pastaj shpirti hov nga toka dhe përsoset në lavdi. Besimtar, ky po që është një inkurajim! A po lutesh për një nga të dashurit e tu? Oh, mos hiq dorë nga lutjet, sepse Krishti është “i fuqishëm për të shpëtuar”! Ti je i pafuqishëm që ta kthesh rebelin në shtëpi, por Zoti yt është i Plotfuqishmi. Rroke atë krah të fuqishëm dhe lëre atë që ta shfaqë gjithë fuqinë e Tij. 

A të shqetëson vetë situata jote? Mos ki frikë, sepse fuqia e Tij të mjafton! Jezusi është “i fuqishëm për të shpëtuar”, qoftë për të filluar punën te të tjerët, ashtu edhe për ta vazhduar punën e nisur në ty. Prova më e mirë e kësaj qëndron në faktin që Ai të ka shpëtuar. Oh, çfarë mëshire e papërshkrueshme është fakti që për ty Zoti nuk është i fuqishëm për të shkatërruar!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>