Ngaqë ti, o Zot, më ke gëzuar me atë që ke bërë...
Psalmi 92:4
A e beson se mëkatet e tua janë falur dhe se Krishti ka kryer një shlyerje të plotë për to? Atëherë, sa i gëzueshëm duhet të jesh ti, o i krishterë! Ah, po ti duhet t’i kesh nën këmbët e tua sprovat dhe hallet e zakonshme të kësaj jete! Përderisa mëkati të është falur, a ka rëndësi vallë se çfarë të ndodh tani? Luther-i tha dikur: “Goditmë, o Zot, goditmë, sepse mëkati më është falur; nëse më ke falur, goditmë aq fort sa të duash.” Dhe në një frymë të ngjashme, ti mund të thuash: “Dërgo sëmundje, varfëri, humbje, kryqe, përndjekje, dërgo ç’të duash! Ti më ke falur dhe shpirti im është i gëzueshëm.”
I krishterë, nëse ky është shpëtimi që ke marrë, ndërsa je i gëzuar, ji edhe mirënjohës dhe dashamirës! Kapu fort pas atij kryqi që ta hoqi mëkatin; shërbeji Atij që të shërbeu i pari. “Ju lutem, pra, o vëllezër, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, t’i paraqitni trupat tuaj si fli të gjallë, të shenjtë, të pëlqyeshëm për Perëndinë, që është shërbesa juaj e mençur” (Romakëve 12:1). Mos e lër zellin tënd të avullojë në ndonjë vlim të vogël kënge! Tregoje dashurinë në mënyra kuptimplote! Duaji vëllezërit e Atij që të deshi i pari! Në qoftë se diku ka ndonjë Mefibosheth me aftësi të kufizuara, ndihmoje atë për hir të Jonathanit! Në qoftë se ka ndonjë besimtar të gjorë e të sprovuar, qaj së bashku me të dhe mbaje kryqin e tij për hir të Atij që qau për ty dhe mbarti mëkatet e tua.
Meqenëse je shfajësuar falas për hir të Krishtit, shko dhe ndaje me të tjerët lajmin e gëzueshëm të mëshirës falëse! Mos u kënaq duke e ruajtur vetëm për vete këtë bekim të papërshkrueshëm, por shpalle në të katër anët e dheut historinë e kryqit! Hareja dhe guximi i shenjtë do të të bëjnë një predikues të mirë dhe mbarë bota do të kthehet në një foltore nga e cila të predikosh. Shenjtëria e gëzueshme është predikimi më bindës që mund të bëhet, por duhet që Zoti të ta japë atë. Kërkoje atë këtë mëngjes përpara se të dalësh në botë! Kur ngazëllehemi në veprën e Zotit, nuk asnjë arsye për t’u druajtur se mos po gëzohemi më tepër sesa duhet.
© dritez.al 2024