spurgeon dev 14 gusht pm
August 2023

“I njoh vuajtjet e tij.”

Eksodi 3:7

Fëmija ngazëllehet tek këndon: “Këtë ati im e di”; po ne, a nuk do të përdëllehemi teksa kuptojmë se Miku ynë i dashur dhe zemërbutë di gjithçka rreth nesh?

1. Ai është Mjeku, dhe nëse Ai di gjithçka, nuk është e nevojshme që pacienti ta dijë. Qetësohu ti, o zemër budallaqe, e paqëndrueshme, kurioze, përgjuese dhe dyshuese! Atë që nuk e di tani, do ta marrësh vesh më vonë; dhe ndërkaq Jezusi, Mjeku i dashur, e njeh shpirtin tënd edhe mes vështirësive. Përse duhet vallë që pacienti t’i analizojë të gjitha barnat [që i rekomandohen] apo t’i studiojë të gjitha simptomat [e sëmundjes së vet]? Kjo është puna e Mjekut, jo e imja; detyra ime është të kem besim, ndërsa e Tija që t’i rekomandojë ato. Po qe se e shkruan recetën me një shkrim të palexueshëm, një gjë e tillë nuk do të më shqetësojë aspak, sepse do të mbështetem në aftësinë e tij të pagabueshme për ta sqaruar gjithçka përmes rezultatit, sado i mistershëm që mund të duket procesi.

2. Ai është Zoti, dhe njohja e Tij ka për qëllim të na shërbejë neve në vend të njohjes sonë; ne duhet të bindemi dhe jo të gjykojmë: “...shërbëtori nuk e di ç’bën i zoti” (Gjoni 15:15). A do t’ia shpjegojë vallë arkitekti planet e tij çdo muratori në detyrë? A nuk mjafton vallë fakti që ky i fundit të jetë në dijeni të pjesës që i takon për të bërë? Ena prej balte që formësohet në rrotën e poçarit, nuk mund ta marrë me mend se cila do të jetë trajta e saj përfundimtare, por në qoftë se poçari është një zejtar i zotë, padija e baltës është e parëndësishme. Zoti im nuk duhet të merret në pyetje [për qëllimin e veprave të Tij] nga një kokërr injoranti si puna ime.

3. Ai është Kreu. Gjithë zgjuarsia përqendrohet tek Ai. E ç’gjykim ka vallë krahu? Po këmba, ç’aftësi ka për të kuptuar? Mbarë fuqia për të ditur qëndron te kryet. Përse duhet vallë që gjymtyrët të kenë trurin e tyre kur kreu e përmbush shumë mirë funksionin intelektual? Kështu, pra, ngushëllimi i vetëm i besimtarit, kur vuan nga sëmundje, nuk duhet të jetë fakti se arrin ta shohë fundin e tyre, por se Jezusi di gjithçka. Zot i dashur, qofsh gjithmonë syri, zemra dhe kryet tona, dhe qofshim të kënaqur duke ditur vetëm atë që ke vendosur të na zbulosh!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>