spurgeon dev 14 dhjetor am
December 2023

Ata kalojnë nga një forcë te tjetra.

Psalmi 84:7

“Ata kalojnë nga një forcë te tjetra.” Këto fjalë janë përkthyer në disa mënyra, por të gjitha ato përmbajnë idenë e progresit. “Ata kalojnë nga një forcë te tjetra.” Pra, ata bëhen gjithnjë e më të fortë. Ndodh rëndom që, nëse jemi duke ecur, kalojmë nga forca në dobësi. Kur nisemi për udhë, jemi të freskët dhe në formë për udhëtimin tonë, por gjatë ecjes, rruga bëhet e vështirë dhe dielli të djeg; kështu që ne ulemi në buzë të xhadesë dhe pastaj e vazhdojmë udhën tonë të lodhshme.

Mirëpo, duke qenë se ka marrë nozullime të freskëta hiri, shtegtari i krishterë është po aq energjik pas vitesh përpjekjesh dhe shtegtimi të lodhshëm, sa edhe kur e nisi rrugëtimin e tij. Ai mund të mos jetë më aq entuziast dhe i hareshëm, sa ishte në fillim, ose mbase mund të mos e ketë atë zellin e zjarrtë dhe të rrëmbyer që kishte dikur, por është shumë më i fortë në gjithçka që përbën forcë të vërtetë; dhe megjithëse udhëton më ngadalë, e bën këtë me më shumë siguri.

Disa veteranë flokëbardhë kanë qenë po aq të qëndrueshëm në zotërimin e së vërtetës dhe po aq të zellshëm në përhapjen e saj, sa ishin edhe në ditët e rinisë. Mirëpo, fatkeqësisht, duhet të rrëfejmë se shpesh ndodh e kundërta, sepse janë të shumtë ata të cilëve u ftohet dashuria dhe u shtohet paudhësia; ama kjo ndodh për shkak të mëkatit të tyre dhe jo se ka dështuar premtimi, i cili ende mbetet i vlefshëm: “Të rinjtë mundohen dhe lodhen, të rinjtë e zgjedhur me siguri pengohen dhe rrëzohen, por ata që shpresojnë te ZOTI fitojnë forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja, vrapojnë pa u lodhur dhe ecin pa u lodhur” (Isaia 40:30-31). 

Merakmëdhenjtë ulen diku dhe shqetësohen për të ardhmen. “Vaj medet”, thonë ata, “ne kalojmë nga një vuajtje te tjetra.” Kjo është shumë e vërtetë, o njeri besimpak; por gjithashtu po kalon nga një forcë te tjetra! Nuk ke për të gjetur asnjë deng me vuajtje, në të cilin të mos ketë diku hir të mjaftueshëm. Perëndia do të të japë forcën e pjekurisë bashkë me barrën që është caktuar për shpatulla të forcuara.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin