spurgeon dev 14 dhjetor pm
December 2023

U kryqëzova bashkë me Krishtin.

Galatasve 2:20

Zoti Jezu Krisht e kreu veprën e Tij si përfaqësuesi ynë i madh publik, dhe vdekja e Tij në kryq shënoi në mënyrë simbolike vdekjen e të gjithë popullit të Tij. Në Krishtin, të gjithë njerëzit e Tij kanë shlyer për llogari të drejtësisë gjithçka që i detyroheshin asaj, dhe e kanë shpaguar hakmarrjen hyjnore për të gjitha mëkatet e tyre. Apostulli i johebrenjve ngazëllehej tek mendonte se, duke qenë një prej të zgjedhurve të Krishtit, edhe ai kishte vdekur në kryq në Të. Ai nuk u mjaftua duke e besuar këtë pohim vetëm nga ana doktrinare—por e pranoi me besim të plotë, duke e vendosur shpresën e tij në të. Pali besonte se, falë vdekjes së Krishtit, kishte përmbushur drejtësinë hyjnore dhe ishte pajtuar me Perëndinë.

Të dashur, sa bekim i madh që është kur shpirti mund të shtrihet mbi kryqin e Krishtit dhe të thotë: “Kam vdekur; më ka vrarë ligji, dhe si rrjedhojë, tani jam i lirë nga fuqia e tij, sepse në Krishtin e kam mbartur mbi vete mallkimin, dhe në personin e Zëvendësuesit tim është ekzekutuar mbi mua çdo dënim që parashikonte ligji, sepse edhe unë vetë jam kryqëzuar me Krishtin”. 

Mirëpo, Pali synonte të thoshte edhe më shumë se kaq. Ai jo vetëm që besonte në vdekjen e Krishtit dhe i zinte besë asaj, por, në të vërtetë, e përjetoi fuqinë e saj tek vepronte brenda tij për të kryqëzuar natyrën e vjetër dhe të prishur. Tek i shihte kënaqësitë e mëkatit, thoshte: “Nuk mund të kënaqem me to: unë jam i vdekur për to.” E tillë është përvoja e çdo të krishteri të vërtetë. Pasi e ka marrë Krishtin, besimtari është plotësisht i vdekur për këtë botë. Megjithatë, edhe pse është i vetëdijshëm se ka vdekur për botën, mund të shpallë njëherësh me apostullin: “Unë rroj.” Ai është plotësisht i gjallë për Perëndinë. Jeta e krishterë është një enigmë që nuk e ka shoqen. Ai që nuk është kthyer në besim, nuk mund ta kuptojë dot; madje as vetë besimtari nuk mund ta kuptojë. I vdekur, e megjithatë i gjallë! I kryqëzuar me Krishtin, megjithatë, në të njëjtën kohë, i ringjallur me Krishtin në risinë e jetës! Të qenët i bashkuar me Shpëtimtarin e përvuajtur dhe të gjakosur, dhe të qenët i vdekur për botën dhe për mëkatin, janë gjëra që e ngazëllejnë shpirtin njerëzor. Mësofshim të jetojmë gjithnjë duke i shijuar këto realitete!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin