spurgeon dev 13 am
October 2023

Trishtimi sipas Perëndisë, sjell pendim për shpëtim.

2 e Korintasve 7:10

Vajtimi i përnjëmendtë dhe frymëror për mëkatin është vepra e Frymës së Perëndisë. Pendimi është një lule tepër e rrallë, e cila zor se rritet në kopshtin e natyrës së vjetër. Margaritarët rriten natyrshëm nëpër goca deti, por pendesa nuk shfaqet asnjëherë ndër mëkatarët, përveçse kur vjen si fryt i veprës së hirit hyjnor në ta. Edhe sikur të kesh qoftë edhe një copëz urrejtjeje të mirëfilltë për mëkatin, dije se këtë duhet të ta ketë dhënë Perëndia, sepse zor se mund të prodhojnë ndonjë fik gjembaçët e natyrës njerëzore. “Ç’ka lindur nga mishi, është mish” (Gjoni 3:6). 

Pendimi i vërtetë ka të bëjë qartësisht me Shpëtimtarin. Kur pendohemi për mëkatin, e kemi një sy mbi mëkatin dhe tjetrin mbi kryqin; ose edhe më mirë do të ishte sikur t’i ngulnim që të dy sytë mbi Krishtin dhe t’i shihnim shkeljet tona vetëm në prizmin e dashurisë së Tij.

Trishtimi i vërtetë për mëkatin është një gjë kokë e këmbë praktike. Askush nuk mund të thotë se e urren mëkatin në qoftë se vazhdon të jetojë në të. Pendimi na bën që ta shohim ligësinë e mëkatit jo më vetëm në teori, por edhe në praktikë, në vetë jetën tonë—me qëllim që t’i druhemi atij, ashtu siç u druhet flakëve një viktimë e djegur nga zjarri. Do t’i druhemi atij po aq sa djalli i druhet temjanit; por edhe do t’i qëndrojmë larg—larg në çdo gjë—jo vetëm në çështjet e mëdha, por edhe në gjërat e vogla, ashtu siç i shmangin njerëzit qoftë nepërkat e vogla, qoftë gjarpërinjtë e mëdhenj. Vajtimi i vërtetë për mëkatin do të na bëjë ta ruajmë me xhelozi gjuhën tonë, se mos themi ndonjë fjalë të gabuar; do t’i shqyrtojmë me shumë kujdes veprimet tona të përditshme, se mos bëjmë ndonjë gjë që mund t’i fyejë të tjerët, dhe çdo mbrëmje do ta mbyllim ditën me rrëfime të dhimbshme të fajeve tona, ndërsa çdo mëngjes do ta gdhijmë me lutjet e ethshme që Perëndia të na ruajë gjatë ditës, që të mos mëkatojmë kundër Tij.

Pendimi i sinqertë është i vazhdueshëm. Besimtarët vazhdojnë të pendohen deri në ditën e vdekjes. Kjo nuk është diçka që e bëjmë vetëm një herë në fillim të jetës sonë të krishterë, dhe as një praktikë që bëhet hope-hope. Çdo trishtim tjetër humbet me kalimin e kohës, por ky trishtim i shtrenjtë shtohet me rritjen tonë, dhe është një hidhësirë kaq e ëmbël, saqë e falënderojmë Perëndinë që na dha mundësinë ta shijojmë dhe ta vuajmë derisa të hyjmë në prehjen e përjetshme.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin