spurgeon dev 13 pm
October 2023

Dashuria është e fortë si vdekja.

Kënga e Këngëve 8:6

Dashuria e kujt mund të jetë kjo që është aq e fuqishme sa mposhtësi i monarkëve? A i përket ajo shkatërruesit të racës njerëzore? Vallë, a nuk do të tingëllonte si një ironi therëse po qe se do të thuhej për dashurinë time të mekur, të dobët dhe të varfër ndaj Zotit tim Jezus? Unë e dua, dhe mbase falë hirit të Tij, edhe mund të vdisja për Të, por sa për dashurinë time në vetvete, ajo zor se do t’i mbijetonte një gjesti përbuzës, dhe jo më një vdekjeje mizore. Me siguri që këtu bëhet fjalë për dashurinë e Të Dashurit tim—për dashurinë e Jezusit, dashuruesit të pashoq të shpirtrave tanë. Dashuria e Tij ishte vërtet më e fortë se vdekja më e tmerrshme, sepse e përballoi në mënyrë ngadhënjimtare sprovën e kryqit. 

Ishte një vdekje e stërzgjatur, por dashuria i mbijetoi torturës; një vdekje e turpshme, por dashuria e përbuzi turpin; një vdekje prej krimineli, por dashuria i mbarti mbi vete paudhësitë tona; një vdekje e vetmuar e një personi të braktisur, të cilit Ati i përjetshëm ia fshehu fytyrën e Tij, por dashuria u ngrit mbi mallkimin dhe ngadhënjeu mbi gjithçka. Është një dashuri dhe një vdekje e pashoqe. Ishte një duel i dëshpëruar, por dashuria e duroi dhimbjen. Atëherë, ç’të mundon zemra ime? Vallë, si nuk pushtohesh nga emocionet brenda teje tek mediton për një dashuri kaq qiellore? Po, Zoti im, dëshiroj me zjarr dhe dua ta ndiej dashurinë tënde të digjet si një furrnaltë brenda meje! Eja Vetë dhe ndize zjarrin e dashurisë së frymës sime!

Për çdo pikë gjaku të purpurt,
Derdhur për të më sjellë jetë,
Vallë, përse, përse nuk kam
Për të dhënë një mijë jetë?

Vallë, a nuk duhet të dëshpërohem për faktin se nuk e dua Jezusin me një dashuri që është e fortë si vdekja? Ai e meriton atë lloj dashurie dhe unë e dëshiroj. Martirët e ndienin një dashuri të tillë, dhe ata ishin veçse burra dhe gra si ti dhe si unë, atëherë, përse nuk e ndiej edhe unë? Ata trishtoheshin për dobësitë e tyre, por, prapëseprapë, falë atyre dobësive u bënë të fortë. Hiri u dha atyre qëndrueshmëri të palëkundur—i njëjti hir është edhe në dispozicionin tim. Jezus, dashuria e shpirtit tim, kapërderdhe në mua një dashuri të tillë, pikërisht dashurinë Tënde, në zemrën time sonte!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin