spurgeon dev 13 shtator am
Shtator 2023

Kur kalojnë luginën e Bakas, e shndërrojnë atë në një vend burimesh dhe shiu i parë e mbulon me bekime.

Psalmi 84:6

Ky varg na mëson se ngushëllimi i fituar nga dikush, shpesh mund të jetë i dobishëm për dikë tjetër, ashtu si edhe burimet do t’u hynin në punë atyre që kaluan më pas [nga e njëjta rrugë]. Teksa lexojmë ndonjë libër që është vërtet i dobishëm dhe inkurajues, zbulojmë që autori ka kaluar këndej përpara nesh dhe i ka zbuluar këto burime të freskëta për vete, por edhe për ne. Janë të shumta veprat të cilat ngjasojnë me puse të hapura nga një shtegtar për veten e vet, por që kanë qenë po aq të dobishme edhe për të tjerët. Këtë gjë e vëmë re veçanërisht te Psalmet—për shembull, 42:11: “Pse ligështohesh, shpirti im, pse rënkon brenda meje?”. Udhëtarët kënaqen kur shohin gjurmë njeriu në një plazh të virgjër, por edhe ne lumturohemi kur shohim shenjat që kanë lënë pas shtegtarët tek kanë kaluar përmes luginës së lotëve. 

Shtegtarët hapin pusin, por, çuditërisht, ai mbushet prej së larti, në vend që të mbushet prej së poshtmi. Ne përdorim veglat, por bekimi nuk rrjedh prej tyre. Ne hapim një pus, por është qielli ai që e mbush atë me ujin e reshjeve. Kali është bërë gati për ditën e betejës, por fitorja i takon Zotit. Mjetet janë të lidhura me qëllimin, por ato nuk e prodhojnë atë vetëm me forcat e tyre. Pa shiko se si e mbulon shiu tokën me pellgje, në mënyrë që të bëhen të dobishëm si rezervuarë! Puna e mundimshme nuk shkon kot, por, megjithatë, nuk e zëvendëson dot ndihmën hyjnore. 

Hiri mund të krahasohet me shiun për dëlirësinë e tij, për ndikimin e tij freskues e rigjallërues, për faktin që bie nga qielli, si edhe për sovranitetin me të cilin jepet ose tërhiqet. Rënçin mbi lexuesit tanë shira bekimesh dhe u mbushçin me ujë burimet! Oh, ç’janë mjetet e hirit dhe sakramentet pa buzëqeshjen e qiellit! Ato janë si re pa shi ose si pellgje pa ujë. O Perëndi i dashurisë, hapi dritaret e qiellit dhe derdh një bekim mbi ne!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin