spurgeon dev 13 shtator pm
September 2023

“Ky i pranon mëkatarët.”

Luka 15:2

Vër pak re vetëpëruljen që demonstron ky fakt! Jezusi, i shenjtë, i parrezikshëm, i panjollosur dhe i ndarë nga mëkatarët, i cili qëndron më lart se të gjithë njerëzit—ky Njeri i pranon mëkatarët. Ky Njeri, i cili nuk është askush tjetër veçse Perëndia i përjetshëm, përpara të cilit edhe vetë engjëjt i mbulojnë fytyrat—ky Njeri i pranon mëkatarët. Nevojitet një gjuhë engjëlli për të përshkruar një përkulje të tillë dashurie. Nuk kemi pse mrekullohemi me faktin që ndonjëri prej nesh është kaq i etur për të kërkuar të humburit—në fund të fundit, ata i përkasin racës sonë; por që Ai, Perëndia i fyer, kundër të cilit është kryer shkelja jonë, të merrte trajtë shërbëtori, të mbartte mëkatet e shumë vetave dhe të ishte tepër i gatshëm për të pranuar edhe të parin e mëkatarëve—ky është vërtet një fakt i mrekullueshëm. 

“Ky i pranon mëkatarët”; jo që ata të mbeten mëkatarë, por Ai i pranon që t’ua falë mëkatet, t’i drejtësojë, t’i pastrojë zemrat e tyre përmes fjalës së Tij dëlirëse, t’i ruajë shpirtrat e tyre përmes Frymës së Shenjtë që banon në ta, si edhe t’i bëjë të aftë që t’i shërbejnë, t’i thurin këngë lavdërimi dhe të kenë përbashkësi me Të. I pranon mëkatarët në dashurinë e zemrës së Vet; i nxjerr nga plehërishta dhe i vendos si xhevahire në kurorën e Vet; ua rrëmben flakëve të zjarrit si të ishin degë dhe i ruan si monumente të vyera të mëshirës së Vet. Askush tjetër nuk është po aq i vyer në sytë e Jezusit, sa mëkatarët për të cilët vdiq. 

Kur Jezusi i pranon mëkatarët, Ai nuk ka një vend pritjeje jashtë mureve të shtëpisë apo ndonjë shesh publik ku Ai i trajton ata me bamirësi, në mënyrën që njerëzit trajtojnë lypsarët që kalojnë andej pari, por Ai hap dyert e arta të zemrës së Vet mbretërore dhe e pranon mëkatarin në zemrën e Tij. Ai e pranon të penduarin e përulur në një bashkim personal dhe e bën atë pjesëtar të trupit, mishit dhe kockave të Tij. Nuk ka pasur kurrë një pritje të tillë si kjo! Ky fakt është i vërtetë. Madje edhe këtë mbrëmje, Ai ende i pranon mëkatarët: lutja jonë është që mëkatarët ta pranojnë Atë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin