Shikoni ç’dashuri të madhe na ka dhënë Ati, që të quhemi bij të Perëndisë. Prandaj bota nuk na njeh, sepse nuk e ka njohur atë. Të dashur, tani jemi bij të Perëndisë...
1 e Gjonit 3:1-2
“Shikoni ç’dashuri të madhe na ka dhënë Ati.” Mendoni se kush ishim dhe se si ndihemi, madje edhe tani, kur prishja vepron brenda nesh dhe do të mahnitesh me birësimin tonë. E megjithatë, ne quhemi “bij të Perëndisë”. Çfarë marrëdhënieje sublime është ajo e një biri dhe çfarë privilegjesh na sjell ajo! Çfarë përkujdesjeje dhe zemërbutësie pret biri prej të atit dhe çfarë dashurie ndien ati për të birin! Mirëpo, gjithë këtë, madje edhe më shumë se kaq, ne e kemi tashmë në Krishtin!
Ndërsa, sa për të keqen e përkohshme të vuajtjes me vëllanë e madh, këtë ne e pranojmë si një nder: “Prandaj bota nuk na njeh, sepse nuk e ka njohur atë.” Jemi të kënaqur nga të qenët të panjohur me Të në përuljen e Tij, sepse kemi për t’u lartësuar bashkë me Të.
“Të dashur, tani jemi bij të Perëndisë.” Kjo frazë lexohet lehtë, por është më e vështirë për t’u kuptuar me zemër. Si ndihet zemra jote këtë mëngjes? Vallë, a mos je zhytur shumë thellë në trishtim? A mos ngrihet vallë prishja si një dallgë brenda shpirtit tënd dhe a mos të duket hiri si një shkëndijë e gjorë e shtypur nën këmbë? Vallë, a është gati duke t’u mekur besimi? Mos ki frikë, nuk duhet të jetosh duke u mbështetur as në virtytet dhe as në ndjenjat e tua: duhet që thjesht të jetosh me besim në Krishtin!
Ndonëse i kemi kundër të gjitha këto gjëra, tani—në vetë thellësitë e vuajtjes sonë, kudo ku mund të ndodhemi—tani, qofshim në fushë a në mal: “Të dashur, tani jemi bij të Perëndisë.” “Ah, ti ke të drejtë”, thua ti, “por shih pak se si jam katandisur! Virtytet e mia e kanë humbur shkëlqimin; drejtësia ime nuk ndriçon më me lavdi të dukshme.” Mirëpo, lexoni më poshtë: “Ende nuk është shfaqur ç’do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të.” Fryma e Shenjtë do të na i pastrojë mendjet dhe fuqia hyjnore do të na i përlëvdojë trupat, dhe atëherë do ta shohim Atë ashtu siç është.
© dritez.al 2024