spurgeon dev 13 qershor am
Qershor 2023

Dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës.

Zbulesa 22:17

Jezusi thotë: “Ejani dhe merreni si dhuratë.” Ai nuk dëshiron as pagesë dhe as përgatitje. Ai nuk kërkon rekomandim nga emocionet tona të virtytshme. Edhe në mos paç ndjenja të mira, por megjithatë dëshiron të vish, je prapëseprapë i ftuar; prandaj eja! Edhe në mos paç as besim dhe as pendim, eja tek Jezusi dhe Ai do të t’i japë me shumicë. Eja ashtu siç je, dhe merr pa para dhe pa pagesë. Ai ua jep Veten nevojtarëve.

Në Britaninë e shekullit të shtatëmbëdhjetë, çezmat publike në qoshet e rrugëve ishin objekte me vlerë; do të kishte qenë gjë e çuditshme dhe e pamend të shihje dikë që, duke qëndruar para tyre, të thoshte: “I mjeri unë që nuk pi dot, se nuk kam asnjë lek me vete!”. Sado i varfër të jetë një individ, çezma është aty, ai mund të pijë prej saj ashtu siç është, pa paguar. Kalimtarët e tharë nga etja që kalojnë aty pari, qofshin të veshur me rrecka apo me rroba elegante, nuk kanë nevojë për ndonjë autorizim për të pirë prej çezmës; ekzistenca e çezmës është garanci e mjaftueshme që ta pinë ujin e saj lirisht. Bujaria e disa miqve të mirë e ka vënë ujin freskues në dispozicion të të gjithëve, dhe ne pimë prej tij dhe nuk bëjmë pyetje.

Mbase të vetmit persona që kalojnë përgjatë rrugës ku ka një çezmë, dhe mbeten pa pirë, janë zotërinjtë dhe zonjat e veshura me elegancë, të cilët janë në karrocat e tyre. Ata janë shumë të etur, por u duket tepër vulgare të dalin nga karroca për të pirë ujë. Sipas mendimit të tyre, kjo do të ishte ulje për ta, sepse do të pinin nga çezma e popullit të thjeshtë: kështu që e vazhdojnë rrugëtimin me buzë të thara.

Oh, sa të shumtë janë ata që janë të pasur me veprat e tyre të mira, dhe për pasojë, nuk mund të vijnë dot te Krishti! “Nuk dua të shpëtohem”, thonë ata, “në të njëjtën mënyrë siç shpëtohet lavirja apo blasfemuesi.” Çfarë?! Unë të shkoj në qiell porsi një oxhakfshirës? Vallë, nuk paska shteg tjetër drejt lavdisë, përveç shtegut që çoi atje kusarin që po vdiste? Nuk dua të shpëtohem në atë mënyrë. Të tillë mburravecë kryelartë duhet të mbeten pa ujin e gjallë; mirëpo, “Ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës.”


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin