Largo nga unë kotësinë dhe gënjeshtrën.
Fjalët e Urta 30:8
Perëndia im, mos u largo nga unë.
Psalmi 38:21
Ja ku kemi dy mësime të mëdha—çfarë të qortojmë dhe çfarë të kërkojmë me ngulm. Gjendja më e lumtur e një të krishteri është gjendja më e shenjtë. Ashtu siç shtohet nxehtësia sa më shumë i afrohemi diellit, kështu shtohet lumturia sa më pranë i qëndrojmë Krishtit. Asnjë i krishterë nuk gëzon përdëllim kur i ka sytë të ngulur mbi kotësinë—vetëm atëherë kur shpirti i tij rigjallërohet në rrugët e Perëndisë, ai gjen kënaqësinë e vërtetë.
Bota mund ta gjejë lumturinë në gjëra të tjera, por ai nuk mundet. Nuk i fajësoj të paperëndishmit që rendin pas kënaqësive të kësaj bote. Përse vallë duhet ta bëj një gjë të tillë? Lëri të ngopen me kotësinë e tyre! Në fund të fundit, kjo është gjithçka që ata mund të shijojnë. Një grua besimtare, e cila ishte në merak për [të ardhmen] e burrit të saj, tregohej përherë shumë e mirë me të, sepse thoshte: “Druhem se kjo është e vetmja botë në të cilën do të jetë i lumtur, dhe për pasojë kam vendosur ta bëj sa më të lumtur që të mundem në të.”Të krishterët duhet t’i kërkojnë kënaqësitë e tyre në një sferë më të lartë nga kotësitë pa shije ose zbavitjet mëkatare të botës. Dëfrimet e kota janë të rrezikshme për shpirtrat e rilindur.
Kemi dëgjuar të flitet për një filozof i cili ra në një gropë, ndërsa i kishte ngritur sytë lart për të parë yjet; mirëpo, sa thellë bien ata që i mbajnë sytë përtokë! Rënia e tyre është fatale. Asnjë i krishterë nuk është i sigurt nëse shpirti i tij është i plogësht, dhe nëse ai është larg Perëndisë të tij. Çdo i krishterë është përherë i sigurt për sa i përket pozitës së tij në Krishtin, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për sa i përket përvojës së tij në shenjtëri dhe përbashkësisë me Jezusin në këtë jetë.
I Paudhi nuk e sulmon shpesh të krishterin që jeton pranë Perëndisë. Pikërisht atëherë kur i krishteri largohet nga Perëndia, gati sa nuk vdes urie frymërisht dhe përpiqet të ushqehet me gënjeshtra, i Paudhi e kupton se ka ardhur ora e tij e epërsisë. Ndonjëherë mund të ndeshet dhëmb për dhëmb me fëmijën e Perëndisë që është aktiv në shërbim të Zotit të tij, por beteja përgjithësisht nuk zgjat shumë. Ai që rrëshqet ndërsa zbret poshtë në Luginën e Poshtërimit, do të zbulojë se, me çdo hap të gabuar që bën, e fton djallin që ta sulmojë. Oh, sa hir na nevojitet që të ecim përulësisht me Perëndinë tonë!
© dritez.al 2024