Shumë i dashuri im është për mua si një qeskë mirre.*
Kënga e Këngëve 1:13
Mirra mund të përzgjidhet për të simbolizuar Jezusin, për shkak të vlerës së saj të paçmuar, aromës, aftësisë së saj shëruese, parandaluese dhe dezinfektuese, por edhe për lidhjen e saj me flijimet. Mirëpo, përse krahasohet Ai me “një qeskë mirre”?
Së pari, për shkak se ky krahasim tregon bollëk. Ai nuk është një pjesëz e vogël—Ai është një qeskë plot me mirrë. Ai nuk është një gem apo lule e tij, por një tufë e tërë mirre. Në Krishtin ka mjaftueshëm, për të gjitha nevojat e mia; mos qofsha i ngadaltë për të kërkuar ndihmën e Tij!
Shumë i dashuri ynë krahasohet me një “qeskë”, edhe për shkak të larmisë, sepse në Krishtin nuk gjendet vetëm gjëja që na nevojitet për momentin, por “në të banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë” (Kolosianëve 2:9); tek Ai gjendet gjithçka që na nevojitet. Shqyrtojini aspektet e shumta të Jezusit dhe do të dalloni një larmi të mrekullueshme—Profet, Prift, Mbret, Bashkëshort, Shok dhe Bari. Këqyreni Atë në jetën, vdekjen, ringjalljen, ngjitjen dhe ardhjen e Tij të dytë; hulumtoni virtytin, zemërbutësinë, guximin, vetëmohimin, dashurinë, besnikërinë, të vërtetën dhe drejtësinë e Tij—në të gjitha këto gjëra, Ai është si një qeskë me gjëra të paçmueshme.
Ai është si “një qeskë mirre” për ruajtje, jo si një mirrë e shpërhapur dhe e papaketuar, por si mirrë për t’u ruajtur në një enë. Ne duhet ta çmojmë Atë si thesarin tonë më të vyer; ne duhet t’i vlerësojmë fjalët dhe urdhërimet e Tij; dhe duhet t’i ruajmë si sytë e ballit mendimet dhe njohjen e Tij, se mos vjen i paudhi e na i vjedh ato.
Veç kësaj, Jezusi është si një “qeskë mirre” edhe për veçantinë. Ky është një simbol i hirit dallues dhe veçues. Qysh përpara se të hidheshin themelet e dheut, Jezusi qe ndarë mënjanë për popullin e Tij; dhe Ai ua ofron parfumin e Tij vetëm atyre që dinë se si të hyjnë në marrëdhënie me Atë vetë dhe të kenë një përbashkësi të ngushtë me Të—njerëz të bekuar, të cilët Zoti i ka pranuar në vendin e Tij të fshehtë dhe për të cilët Ai e ndan veç Veten.
Sa të zgjedhur e të lumtur janë ata që mund të thonë: “Shumë i dashuri im është për mua si një qeskë mirre”!
*Shënim i përkthyesit: Vargu i sotëm është përkthyer fjalë për fjalë nga versioni i Biblës në gjuhën angleze King James Version (KJV).
© dritez.al 2024