“Do të vërë pastaj dorën e tij mbi kokën e holokaustit, që do të pranohet në vend të tij, për të shlyer dënimin në vend të tij.”
Levitiku 1:4
Fakti që Zoti ynë u bë “mëkat për ne” (2 e Korintasve 5:21), ilustrohet në këtë varg me anë të kalimit shumë domethënës të mëkateve te demi i vogël, gjë e cila realizohej nga pleqtë e popullit. Vendosja e dorës nuk ishte një prekje e thjeshtë, sepse në disa pjesë të tjera të Shkrimit, fjala origjinale kishte kuptimin e të rënduarit fort, ashtu siç thuhet në vargun: “Mbi mua rëndon zemërimi yt” (Psalmi 88:7; Bibla “Së bashku”, 2020).
Natyrisht, ky është vetë thelbi dhe natyra e besimit tonë, i cili jo vetëm që na sjell në kontakt me Zëvendësuesin e madh, por po ashtu na mëson të mbështetemi mbi Të me të gjithë barrën e fajit tonë. Yahveh-u bëri që të gjitha shkeljet e popullit të Vet të besëlidhjes të qëndronin mbi Zëvendësuesin, dhe secili nga të zgjedhurit duhet ta ratifikojë personalisht këtë akt solemn besëlidhjeje, kur prej hirit dhe përmes besimit bëhet i aftë që ta vendosë dorën mbi kokën e Qengjit që u ther përpara themelimit të botës.
Besimtar, a e mban mend atë ditë të mrekullueshme kur për herë të parë more faljen përmes Jezusit, mëkatmbajtësit? A nuk mund ta bësh edhe ti një rrëfim të gëzueshëm dhe të bashkohesh me autorin, duke thënë: “Shpirti im e kujton me ëndje ditën e çlirimit. I ngarkuar me faj dhe plot me druajtje, e pashë Shpëtimtarin tim si Zëvendësuesin tim dhe e vendosa dorën time mbi Të—fillimisht me druajtje, por guximi m’u rrit dhe besimi m’u forcua, derisa e mbështeta shpirtin tim plotësisht mbi Të. Tani kam gëzim të pasosur në zemër, sepse e di që mëkatet e mia nuk më llogariten më, por janë vendosur mbi Të. Ashtu siç ndodhi me borxhet e udhëtarit të plagosur, Jezusi, ky Samaritan i mirë, ka thënë për gjithë mëkatshmërinë time të së ardhmes: ‘Vendose në llogarinë Time!’”.
Ç’zbulim i bekuar! Ç’përdëllim i përjetshëm i një zemre mirënjohëse!
Sa shumë mëkate mbartur mbi Të,
Ato kush mund t’i gjejë më,
Humbur në rrjedhën e gjakut shlyes,
Aty ku mbytet çdo krim!
© dritez.al 2024