spurgeon dev 13 nëntor pm
November 2023

Pastaj u tha atyre edhe një shëmbëlltyrë, për të treguar se duhet lutur vazhdimisht pa u ligështuar.

Luka 18:1

Jezusi e ka dërguar Kishën e tij në botë, që ajo të kryejë të njëjtin mision për të cilin Ai Vetë erdhi mbi tokë, dhe ky mision përfshin lutjen ndërmjetësuese. Si do të përgjigjeshe sikur të të thosha se Kisha është prifti i botës? Krijimi është i pagojë, por Kisha mund të bëhet goja e tij. Kisha e ka për privilegj të madh, të lutet me miratim. Dera e hirit është gjithnjë e hapur për lutjet e saj, dhe ato nuk kthehen kurrë pa përgjigje. Perdja u shqye më dysh për të; gjaku u spërkat mbi altar për të; Perëndia e fton vazhdimisht të kërkojë gjithçka që i do zemra. A do ta refuzojë vallë privilegjin që edhe engjëjt mund t’ia kenë zili? A nuk është ajo vallë nusja e Krishtit? A nuk mund të paraqitet ajo përpara Mbretit të saj orë e pa orë? A do ta lërë vallë pa e përdorur këtë privilegj të paçmuar?

Kisha ka gjithnjë nevojë të lutet. Në mesin e saj ka gjithmonë nga ata që po shkojnë poshtë e më poshtë apo që po bien hapur në mëkat. Ka qengja për të cilët duhet të lutemi, që të mbarten në gjirin e Krishtit. Duhet të lutemi për më të fortët, që të mos bien pre e mendjemadhësisë, apo për të dobëtit që të mos shkurajohen. Edhe sikur të mbanim takime lutjeje njëzet e katër orë në ditë, gjatë gjithë ditëve të vitit, prapëseprapë mund të mos na shteronin kurrë kërkesat e veçanta për lutje.

A mos na kanë mbaruar vallë të sëmurët a të vobektët, të vuajturit a besëlëkundurit? A ka vallë ndonjë kohë kur nuk ka pse të kërkojnë kthimin në besim të të afërmve, rikthimin e besëshkelësve ose shpëtimin e mëkatarëve? Duke e ditur se bashkësitë mblidhen rregullisht, se drejtuesit e kishave predikojnë vazhdimisht, se miliona mëkatarë dergjen të vdekur në shkelje e mëkate—në një vend mbi të cilin po bie me siguri terri i zymtë i formalizmit fetar—në një botë plot me idhuj, mizori dhe djaj—në qoftë se Kisha nuk lutet, si do të shfajësohet ajo vallë për moszbatimin e porosisë që i është ngarkuar nga Zoti i saj i dashur? Qoftë Kisha në përgjërim të vazhdueshëm dhe çdo besimtar le t’i kushtohet shërbesës së lutjes!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin