“Pse po rrimë ulur këtu duke pritur vdekjen?”
2 i Mbretërve 7:3
Lexues i dashur, libërthi që po lexon, u shkrua duke pasur si synim parësor ndërtimin e besimtarëve, por nëse ti ende nuk je i shpëtuar, ne jemi të shqetësuar për ty, dhe do të dëshironim të të thoshim ca fjalë që me siguri do të ishin të dobishme për ty. Hape Biblën tënde, lexoje këtë histori lebrosësh dhe përpiqu ta kuptosh gjendjen ku ata ndodheshin, gjendje e cila ishte e ngjashme me tënden! Nëse qëndron aty ku je, ke për të humbur, por nëse shkon te Jezusi, vdekja nuk do të të prekë.
“Kush guxon fiton”, thotë proverbi i vjetër dhe, në rastin tënd, guximi që duhet të shfaqësh, nuk është edhe aq i madh. Nëse rri ulur në dëshpërim të zymtë, askujt nuk do t’i vijë keq kur mbi ty të bjerë shkatërrimi. Mirëpo, nëse do të vdisje duke kërkuar mëshirë, kuptohet nëse një gjë e tillë do të ishte e mundur, të gjithë do të ushqenin simpati për ty. Nuk ka shpëtim për ata që refuzojnë të shkojnë te Jezusi, por ti e di se, përkundrazi, ata që besojnë në Krishtin shpëtohen, sepse disa nga miqtë dhe të afërmit e tu kanë gjetur mëshirë. Atëherë, pse nuk e bën edhe ti të njëjtën gjë? Pse të mos e provosh dhe shikosh që Zoti është i mëshirshëm? Të humbësh është një gjë kaq e tmerrshme, saqë edhe sikur të kishe një fije kashte të vetme, ti do ta zgjatje dorën për ta kapur nën shtytjen e instinktit të vetëruajtjes.
Ne duam të të sigurojmë, si prej Zotit, se në rast se e kërkon, do ta gjesh Atë. Jezusi nuk e përzë asnjë nga ata që vijnë tek Ai. Nëse i beson Atij, nuk ke për të humbur, përkundrazi, do të gjesh thesare që janë shumë më të mëdha, sesa ato që gjetën lebrosët e varfër në kampin e braktisur të sirëve. Fryma e Shenjtë të dhëntë guxim, që të shkosh menjëherë tek Ai, dhe të siguroj se besimi yt nuk do të shkojë kot!
Pasi të jesh shpëtuar për vete, shpalljua lajmin e mirë të tjerëve! Mos rri në vend-numëro, por tregoju, së pari, miqve të tu në kishë dhe bashkohu me ta në përbashkësi; informoje sogjetarin e qytetit, pastorin për atë që të ka ndodhur dhe pastaj shpalle lajmin e mirë kudo ku të mundesh! Zoti Perëndi të shpëtoftë përpara se dielli të perëndojë sot!
© dritez.al 2024